IKD: Ministria e Drejtësisë shkeli ligjin me mosorganizmim të Provimit të Jurisprudencës

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Ministria e Drejtësisë e ka shkelur Ligjin për Provimin e Jurisprudencës dhe ka cenuar të drejtat e kandidatëve duke mos e organizuar mbajtjen e këtij provimi. Në reagimin e IKD-së thuhet se Ligji e përcakton që provimi duhet të organizohet nga Ministria tri herë brenda një…

Lajme

30/01/2026 10:22

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Ministria e Drejtësisë e ka shkelur Ligjin për Provimin e Jurisprudencës dhe ka cenuar të drejtat e kandidatëve duke mos e organizuar mbajtjen e këtij provimi.

Në reagimin e IKD-së thuhet se Ligji e përcakton që provimi duhet të organizohet nga Ministria tri herë brenda një viti kalendarik.

Sipas IKD-së hera e fundit kur Ministria e Drejtësisë ka organizuar Provimin e Jurisprudencës ka qenë afati i prillit 2025.

“Gjatë gjithë vitit 2025, MD ka organizuar vetëm këtë afat të provimit, duke mos përmbushur detyrimin ligjor për organizimin e tij në tri afate brenda vitit kalendarik. Në këtë mënyrë, deri më tani, janë të paktën dy (2), e potencialisht edhe tri (3), afate gjatë të cilave Ministria e Drejtësisë ka qenë e obliguar të organizojë Provimin e Jurisprudencës, por që nuk i ka realizuar”, thuhet në reagim.

Sipas IKD-së kjo përveçse është shkelje e ligjit cenon edhe të drejtat e kandidatëve.

“Përtej shkeljes së ligjit, kjo situatë cenon të drejtën në karrierë të juristëve të rinj, të cilët kanë pritje legjitime që procesi i Provimit të Jurisprudencës të organizohet në përputhje me afatet ligjore. Në rrethanat aktuale, kandidatët nuk kanë mundësi t’i nënshtrohen këtij procesi, duke u pamundësuar avancimi në karrierë dhe, potencialisht, duke u humbur atyre mundësi konkrete punësimi dhe zhvillimi profesional”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se një kategori tjetër e personave të prekur janë kandidatët që kanë mbetur në riprovim.

“Përkundër faktit se këta kandidatë e kanë kaluar pjesën me shkrim të provimit, disa prej tyre kanë mbetur në riprovim në një ose më shumë lëndë. Për shkak të mosorganizimit të Provimit të Jurisprudencës, këta kandidatë e kanë të pamundur ta finalizojnë këtë proces, duke u shkaktuar vonesa dhe dëme të drejtpërdrejta në avancimin e tyre profesional”, thuhet në reagim.

IKD-ja i ka bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të veprojë menjëherë dhe të organizojë Provimin e Jurisprudencës, siç thuhet, në përputhje të plotë me obligimet ligjore, duke respektuar ligjshmërinë dhe të drejtat legjitime të kandidatëve.