IKD kërkon rikthimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale: Shuarja e saj ka sjellë pasoja të rënda për dialogun dhe politikat sociale

Sot, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e National Endowment for Democracy dhe Rockefeller Brothers Fund, organizoi një tryezë diskutimi me deputetë të Kuvendit të Kosovës, ku u publikua raporti me titull: “Ndikimi i bashkimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me Ministrinë e Financave – Analizë e reformës qeveritare në fushën…

Lajme

15/07/2025 18:16

Sot, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e National Endowment for Democracy dhe Rockefeller Brothers Fund, organizoi një tryezë diskutimi me deputetë të Kuvendit të Kosovës, ku u publikua raporti me titull: “Ndikimi i bashkimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me Ministrinë e Financave – Analizë e reformës qeveritare në fushën sociale”.

Raporti analizon pasojat institucionale, sociale dhe ligjore që ka sjellë vendimi i Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe bashkimin e saj me Ministrinë e Financave, si pjesë e reformës qeveritare të vitit 2021.

Në hapje të tryezës, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, theksoi se, “në programin qeveritar të Lëvizjes Vetëvendosje për vitet 2021-2025, transparenca, llogaridhënia dhe dialogu social ka qenë kryefjala e atij programi. Është e vërtetë që Kuvendi ka qenë më transparent për shkak të punës që e ka, por Ministria e Financave, Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale kanë qenë tërësisht të mbyllura, qoftë në raport me kërkesat që i kemi dërgu, qoftë në raport me mundësitë që i kemi elaboruar me gjet bashkëpunim”.

Ai kritikoi mungesën e analizës përpara vendimmarrjes dhe theksoi se kjo ka shkaktuar kosto të mëdha financiare dhe ngarkesë për gjykatat.

“Nëse duhen paguar 300 milionë euro borxhe për kontrata kolektive, jemi në vitin 2021, duhet bërë një analizë a është më mirë t’i kryhen këto obligime ndaj sindikatave apo t’i dërgojmë rastet në gjykatë e 300 milionëshi të bëhet një miliard”, duke nënvizuar se mbyllja e dialogut social ka shkaktuar pasoja të rënda.

Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Naim Jakaj, kritikoi ashpër këtë reformë duke e cilësuar si të dështuar.

“Ky veprim nuk ka qenë reformë, por margjinalizim i mirëqenies sociale. Pas këtij vendimi, Kosova është ndër të paktat vende në rajon dhe Evropë pa një ministri të dedikuar për punë dhe mirëqenie sociale”, deklaroi ai.

Ai shtoi se pasojat janë evidente.

“Pas këtij vendimi, është dështuar tërësisht agjenda legjislative në fushën sociale. Ligje të rëndësishme, si ai për Punën dhe për Sigurinë në Punë, janë tërhequr ose kanë mbetur të bllokuara. Po ashtu, Kosova nuk ka arritur të harmonizojë legjislacionin me direktivat e Bashkimit Evropian, gjë që ndikon negativisht në procesin e integrimit evropian”, theksoi Jakaj.

Ai ngriti edhe shqetësime për mungesën e inspektorëve dhe paralizimin e dialogut social.

“Aktualisht, Kosova ka vetëm 60 inspektorë për mbi 70 mijë biznese, ndërkohë që vetëm në vitin 2024 janë shënuar 505 lëndime dhe 12 vdekje në vendin e punës. Këshilli Ekonomiko-Social është i pakonstituar dhe nuk ka asnjë kontratë kolektive funksionale”, tha Jakaj, duke shtuar se ky vendim ka rritur pasigurinë për punëtorët dhe ka dëmtuar seriozisht të drejtat sociale.

Në debat u përfshinë edhe deputetë nga partitë kryesore politike në vend. Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se ndonëse ka mungesë inspektorësh, numri i tyre është dyfishuar.

“Me të drejtë raporti thotë se ka pak inspektorë. E vërtetë që ishin 30 në vitin 2021, por ne i bëmë 60 që është një dyfishim. Megjithatë, pajtohem se inspektorët nuk janë të specializuar dhe kjo kërkon përmirësim”, tha ai.

Deputeti Muja, tha se raporti ndonëse i përfshinë shumë çështje dhe se autori ka tentuar të argumentojë se bashkimi dy ministrive ka sjellur pasoja negative, duke u mbështetur te dështimi I miratimit të ligjeve nga fusha sociale dhe se politikat sociale janë parë si transfere sociale se sa politikbërje. Ai tha se ka piikëvështrim tjetër.

“Nuk është përditësuar Ligji i punës, nuk është përditësuar ligji i inspektoratit të punës, ligji për siguri dhe shëndeetin në punë… pastaj thuheet që këto nuk janë përditësuar që nga viti 2010, në ndërkohë atë kohë kemi pasur Ministri të Punës dhe Mirëqenies Sociale”, tha Muja.

Sipas tij, argumentimi me hipotezën nuk po përputhen edhe pse këtë çështje do të duhej me shtru në rrafshin professional se a ka pasur përkushtim të mjaftueshëm në kuptim financiar.

Sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë, deputeti tha se i bëri përshtypje konkluzioni i cili thotë se që nga viti 2020 numri i lëndimeve dhe vdekjeve në vendet e punës në Kosovë ka shënuar rritje të vazhdueshme pas viti 2020”. Ai tha se ky konkluzion nuk po përputhet me të dhënat ose parcialisht mund të këtë elemente të përmirësimit të raportimit.

“Pajtohem me nevojën e shtrirjes së inspektimeve. Një aspekt që po neglizhohet është roli i komunave në Inspektoratin komunal, sidomos tek lejet e ndërtimit dhe po ashtu kjo duhej të theksohej në raport”, tha ai.

Blerta Deliu, deputete e PDK-së, e cilësoi shuarjen e Ministrisë si vendim të nxituar dhe të pakonsultuar.

“Konsideroj që shuarja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale më 2021 ka qenë pa një analizë të detajuar, një proces ad-hoc, jo i menduar mirë dhe absolutisht i pakonsultuar me akterë sindikalistë dhe organizata profesionale”, u shpreh ajo, duke shtuar se sot nuk ka dialog social dhe Inspektorati është politizuar.

Armend Zemaj, deputet i LDK-së, tha se kjo reformë ka sjellë kaos në sistemin social.

“Nuk ka pasur një hap konkret që e mbron punëtorin ose avancon të drejtat e punëtorëve. E kemi parë së fundi largimin e 280 punëtorëve nga QKUK për një ditë dhe askush nuk jep llogari, kjo është fatkeqësi”, tha ai.

Veton Berisha, deputet i Partisë Liberale Egjiptiane, tha se shuarja e Ministrisë ka dëmtuar edhe komunitetet.

“Me mungesën e kësaj ministrie ka ngecur edhe zhvillimi i gjendjes së komuniteteve. Fëmijët në rrugë kanë vazhduar të rriten, problemet e gjinisë dhe çështje të tjera sociale janë lënë pas dore. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është një prej ministrive më të rëndësishme dhe tani po i shohim pasojat”, theksoi ai.

Sekretari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Kulturës së Kosovës, Ymeri Ymeri përmendi problemet në lidhje me emërimin e disa përfaqësueve të sindikatave në bordet e ndryshme.

“Bordi i Sigurimeve Shëndetësore, ku dihet se kontributet e parapara me ligj në atë fond të sigurimeve mblidhen, 50% nga punëtori dhe 50% nga punëdhënësi, ndërsa përfaqësuesit e bordeve, të punëmarrësve dhe të punëdhënësve nuk janë të zgjedhur”, tha Ymeri.

Ymeri kritikoi situatën ku i vetmi vend në shtetet e rajonit dhe në Bashkimin Evropian ku nuk kemi Këshill Ekonomiko Social të konstituar.

“Është e çuditshme që ne marrim pjesë në Këshillin Ekonomiko Social në Bashkimin Evropian si përfaqësues të sindikatave ndërsa këtu nuk kemi…mungesa e këtij organi është edhe pasoja që nuk ka Ministri të Punës dhe Mirëqenies Sociale”, tha Ymeri.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi kritikoi shuarjen e MPMS dhe shkrijes së saj në Ministri të Financave.

“E kanë sjellë një vendim me u unifiku Ministria e Punës dhe Transfereve, në bazë të raportit nga kolegu dhe në bazë të prekurave tona nga tereni, është bërë një gabim fatal”, tha Azemi.

Sipas tij, është dashur që të ulemi dhe të diskutojmë se çka sjelli ky fuzionim.

Ndue Kalaj, veteran I sindikalizmit, tha se është mirë që jemi mbledhë për të diskutuar mbi pasojat e shuarjes së kësaj ministrie që dikur kishte kompetenca për tu ballafaquar me kategoritë më të rënda sociale.

“Është çudi e madhe se si ka arritur që qeveria në shkurje ta betonojë këtë ministri me ministri të financave dhe transfereve, a ka qenë këtu logjike, a ka pasur ndonjë rregullativë ku kjo ministri të futet në tunel me ministri e financave, ku ministria e financave ndan para, si mundet ministria të ndaj fonde për këtë ministri dhe ta menagjojë këtë ministri”, tha Kalaj.

Vehbi Mujku nga Instituti Për Zhvillimin e Politikave Sociale dhe njëherit, edhe punëtor i dikurshëm i MPMS-së tha se në vitet e hershme të pas luftës së fundit, është bërë pilotimi bashkimit të ministrive por pa sukses.

“Në vitin 2002, e kemi pilotuar bashkimin e Ministrisë dhe Shëndetësisë me Punën dhe Mirëqeniens Sociale, nuk funksionoi dhe prap e kthyem në MPMS dhe deri në vitin 2021, e kemi mbajtur këtë ministri”, tha Mujku.

“Në vitin 2021, kur e ka pa vendimin e Qeverisë së po dëshirojnë ta shpërbëjnë MPMS-në, u gëzova shumë, sepse prita që do të bëhen dy ministri, njëra ministri për politika sociale dhe tjetra ministria për familjen”, shtoi më tutje Mujku.

Ai vazhdoi duke thënë se raporti do të duhej të përfshinte edhe ndikimin që ka pasur te Ministria e Drejtësië dhe ajo e shëndetësisë.

“Në vitin 2021 të gjitha shërbimet sociale kaluan te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria i morri ato obligime dhe nuk bëri asgjë. Pas dy viteve stagnim, në vitin 2023, këto shërbime sociale profesionale ja hudhi Ministrisë së Drejtësisë. Te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, u vendosën personat me aftësi të kufizuara, skemën sociale dhe punësimin kurse dhunën në familje, mbrojtjen e fëmijëve trafikimin në Ministrinë e Shëndetësisë”, përfundoi Mujku.

Në fund, Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, kritikoi reduktimin e politikave sociale në çështje financiare.

“Transferi financiar është mekanizëm në shërbim të mirëqenies sociale dhe politika sociale çështje dizajnimi i politikave sociale dhe jo vetëm çështje e bartjes së buxhetit te persona të cilët identifikohen si persona që kanë nevojë për to”, u shpreh ai.

Sipas Ymerit, ky është hapi i fundit, i rëndësishëm, por politikat sociale nuk reduktohen në këto elemente. Tha se në vendet e Bashkimit Evropian janë 21 pika se çka nënkupton mirëqenia sociale.

“Për këto katër vite kemi parë jo vetëm një ndryshim të disa politikave por ka pasur ndryshim të qasjes që për mua ka qenë e papritur. Ka pasur ndryshim të qasjes por kam pritur që ka me pas ndryshim të qasjes në aspekt progresiv jo në aspektin regresiv të ndryshimit”, tha Ymeri.

“Shuarja e Ministrisë së Punës ka qenë gabim, sepse mirëqenia sociale nuk duhet të reduktohet në transfer financiar. Kur përjashtohen sindikatat nga dialogu social, kjo është e gabuar, edhe nëse jep rezultat më të mirë”, tha ai.

Tryeza e sotme konkludoi se rikthimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale si institucion i pavarur dhe i specializuar është i domosdoshëm për rikthimin e dialogut social, për avancimin e të drejtave të punëtorëve dhe për harmonizimin e politikave sociale me standardet e Bashkimit Evropian.