​IKD: Dita e punës e gjen Kosovën me probleme të vjetra e vdekje në vendin e punës

Instituti i Kosovës për Drejtësi, në vazhdën e monitorimit të zbatimit të legjislacionit në fushën e të drejtave sociale, ka përcjellë veprimet e Qeverisë, Kuvendit dhe agjencive ekzekutive në përmbushjen e obligimeve brenda fushëveprimit të tyre dhe me rastin ne Ditës Ndërkombëtare të Punës, gjen se Qeveria dhe Kuvendi dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura…

Lajme

01/05/2025 08:29

Instituti i Kosovës për Drejtësi, në vazhdën e monitorimit të zbatimit të legjislacionit në fushën e të drejtave sociale, ka përcjellë veprimet e Qeverisë, Kuvendit dhe agjencive ekzekutive në përmbushjen e obligimeve brenda fushëveprimit të tyre dhe me rastin ne Ditës Ndërkombëtare të Punës, gjen se Qeveria dhe Kuvendi dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura në fushën sociale, përfshirë në miratim e zbatim të ligjeve në këtë fushë.

Sipas një komunikate për media, IKD vlerëson se Qeveria e Kosovës, e dalë nga legjislatura e tetë, ka dështuar jo vetëm të miratojë pjesën më të madhe të ligjeve në fushën sociale, por edhe të zbatojë ligjet ekzistuese.

“Po ashtu, ajo nuk ka arritur të sigurojë mbrojtje kolektive për punëtorët. Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë një përfaqësues të sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale dhe nuk ka ushtruar në mënyrë efektive funksionin mbikëqyrës ndaj Qeverisë. Vetëm gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, sipas statistikave zyrtare dhe të dhënave nga sindikatat, në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën 263 punëtorë, 12 vetëm në vitin 2024, ndërsa në pesëmujorin e parë të këtij viti kemi 10 raste të vdekjes në vendin e punës”, thuhet në komunikatë.

“Dështimi për t’i miratuar ligjet nga fusha sociale”

Sipas IKD-së, Qeveria ka dështuar të miratojë shumicën e projektligjeve nga fusha sociale, duke dëshmuar neglizhencë të vazhdueshme dhe mungesë të vullnetit politik gjatë viteve 2021-2024.

“Ligjet bazike si Ligji i Punës, Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe Ligji për Inspektoratin e Punës, janë hequr nga agjenda ose kanë mbetur të paadresuara, duke reflektuar mungesë të përparimit dhe angazhimit për çështje urgjente sociale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas IKD-së, Ligji për Sigurime Shëndetësore të Detyrueshme dhe Ligji për Banimin Social dhe të Përballueshëm janë miratuar përmes një procedure të përshpejtuar më 5 dhjetor 2024, pa përfshirjen e opozitës, gjë që ka çuar në dërgimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë sa i përket procedurës së ndjekur.

“Dështimi për të përditësuar dhe miratuar në kohë legjislacionin social, ka pasoja serioze për qytetarët, zhvillimin ekonomik dhe adresimin e problemeve sistematike të krijuara ndër vite. Vonesat në miratimin e ligjeve dhe përafrimin e tyre me direktivat e Bashkimit Evropian cenojnë mbrojtjen sociale, sigurinë juridike të qytetarëve dhe integrimin evropian të vendit”.

Në këtë drejtim, IKD rekomandon që legjislatura e nëntë dhe qeveria e re të përcaktojë një ndër prioritetet kryesore të qeverisjes miratimin e ligjeve përkatëse dhe të forcojë mekanizmat e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve të aplikueshme duke i kushtuar rëndësi të posaçme sigurisë në punë dhe të drejtave të punëtorëve. Viti 2024 dhe fillimi i vitit 2025 për shkak të neglizhencës dhe mungesës së mbikëqyrjes adekuate, ka rezultuar me 22 viktima që kanë humbur jetën në vendin e punës. Vdekja e 22 punëtorëve në vendin e punës për më pak se 18 muaj, do të duhej të shërbenin si reflektim për Qeverinë dhe Kuvendin e ardhshëm.

Dështimi për të ofruar dialog social

Sipas IKD-së, Qeveria e Kosovës, si një nga partnerët socialë dhe sipas legjislacionit në fuqi përgjegjëse për zhvillimin e këtij dialogu, ka shmangur në mënyrë të vazhdueshme përmbushjen e kësaj detyre. Deri më sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punës më 1 maj 2025, ajo ka dështuar sistematikisht të sigurojë një mjedis të strukturuar dhe funksional për dialog social, i cili është njëri ndër tiparet e një demokracie funksionale dhe të një shteti që synon përparimin drejt standardeve të Bashkimit Evropian. Përkundër deklaratave politike që mbështesin të drejtat e punëtorëve dhe promovojnë dialogun me sindikatat, në praktikë janë ndërmarrë shumë pak hapa konkretë, dhe ato kur janë ndërmarrë, më shumë kanë qenë në drejtim të krijimit të imazhit sesa të punës së vërtetë.

Po ashtu sipas IKD-së, vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur pagën minimale në 350 euro është marrë në mënyrë arbitrare, pa respektuar procedurat e përcaktuara me ligj. Ligji në fuqi kërkon që përcaktimi i pagës minimale të bëhet në fund të çdo viti kalendarik, bazuar në një propozim të Këshillit Ekonomik dhe Social (KES). Në rast të mungesës së një propozimi nga KES-i, Ministri i Financave, pas konsultimeve me këtë Këshill, ka të drejtë të paraqesë një propozim alternativ. Megjithatë, Këshilli Ekonomik dhe Social nuk ka qenë funksional që nga prilli 2023, për shkak të dështimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ta konstituuar atë, duke e bërë kështu të pamundur respektimin e kësaj procedure të domosdoshme.

“Si pasojë, vendimi i qeverisë ka qenë i paligjshëm, pasi ai nuk ka respektuar ligjin që vetë qeveria e kishte propozuar dhe Kuvendi e kishte miratuar. Për më tepër, shuma e propozuar prej 350 eurosh nuk ka kaluar nëpër procesin e konsultimeve publike në Platformën për Konsultime Publike Online, një obligim që qeveria e ka sipas Rregullores së saj të Punës”, thuhet në komunikatë.

IKD vlerëson se çdo ndryshim në politikën e pagës minimale ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qindra mijëra punëtorëve dhe në stabilitetin ekonomik të vendit. Prandaj, procesi i vendimmarrjes në fund të vitit 2025 duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të bazohet në analiza të detajuara dhe konsultime të gjera me të gjithë aktorët relevantë.

Mungesa e mbrojtjes së punëtorëve përmes arritjes së Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive dhe marrëveshjeve sektoriale

Në raport me mbrojtjen kolektive të punëtorëve, IKD gjen se Qeveria e Kosovës ka dështuar të përmbushë obligimin e saj për të nënshkruar marrëveshjen e përgjithshme me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), përkundër kërkesave të përsëritura nga ky bashkim sindikatash. Në anën tjetër, qeveria ka dështuar gjithashtu të arrijë marrëveshje sektoriale me disa sindikata në Kosovë, përkundër vullnetit dhe përpjekjeve të përditshme të tyre.

Dështimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për të nënshkruar marrëveshje me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK)

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka ndërmarrë një hap të paprecedentë, duke e ndërprerë në mënyrë të njëanshme marrëveshjen kolektive me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK). Në vend që të angazhohej në dialog dhe negociata për të përmirësuar ose përshtatur marrëveshjen, Ministria e ka arsyetuar këtë vendim me pretendime për mosrespektim të ligjit. SBASHK-u ka dorëzuar një draft të Kontratës Kolektive për sektorin e arsimit në MAShTI në tetor të vitit 2024, por pavarësisht këtij hapi, MAShTI dhe Ministria e Financave nuk kanë realizuar takime me përfaqësuesit e SBASHK-ut për të diskutuar mbi këtë draft.

Dështimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të nënshkruar marrëveshje me Sindikatën e Sektorit të Shëndetësisë

Pas tërheqjes së njëanshme nga zbatimi i Marrëveshjes Kolektive Sektoriale me Sindikatën e Sektorit të Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë kishte premtuar se do të nënshkruante një marrëveshje kolektive me këtë Federatë, por më pas nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Kjo qasje është shkelje e besimit dhe shembull i mungesës së angazhimit institucional ndaj përfaqësuesve të punëtorëve të sektorit të shëndetësisë. Për më tepër, dështimi për të nënshkruar marrëveshjen ndodh në një kohë kur punëtorët shëndetësorë po përballen me kushte të vështira pune, mungesë të pajisjeve dhe mbështetje të pamjaftueshme financiare dhe Kosova përballet me rrezikun e vazhdueshëm të ikjes së punëtorëve shëndetësorë në vendet e Bashkimit Evropian.

Mosfunksionalizimi i Këshillit Ekonomik-Social (KES)

Sipas IKD-së, mosfunksionalizimi i Këshillit Ekonomik-Social (KES), për të cilin përgjegjëse është Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka penguar arritjen e një marrëveshjeje të përgjithshme kolektive në Kosovë. IKD, gjen se përkundër faktit që Ministria ishte në dijeni se mandati i KES-it kishte përfunduar në prill të vitit 2023, nuk janë ndërmarrë asnjëherë hapa për ta bërë atë funksional. Si rezultat, punëtorët në sektorin publik dhe privat kanë mbetur pa një trupë përfaqësuese për të negociuar të drejtat dhe kushtet e tyre të punës.