IKD alarmon për gjendjen e sundimit të ligjit: Kosova nuk shënoi progres në funksionimin e gjyqësorit

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 paraqet një pasqyrë shqetësuese të gjendjes së sundimit të ligjit dhe funksionimit të institucioneve demokratike, duke theksuar se shumë prej problemeve të evidentuara në vitet e kaluara vazhdojnë të mbeten të paadresuara. Sipas IKD-së, veçanërisht shqetësues është…

Lajme

04/11/2026 16:56

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 paraqet një pasqyrë shqetësuese të gjendjes së sundimit të ligjit dhe funksionimit të institucioneve demokratike, duke theksuar se shumë prej problemeve të evidentuara në vitet e kaluara vazhdojnë të mbeten të paadresuara.

Sipas IKD-së, veçanërisht shqetësues është vlerësimi i Komisionit Evropian se Kosova nuk ka shënuar progres në funksionimin e gjyqësorit. Ky vlerësim paraqet përkeqësim krahasuar me tri vitet paraprake, kur progresi ishte cilësuar si i kufizuar.

IKD thekson se sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me sfida që lidhen me pavarësinë, llogaridhënien, efikasitetin dhe ndikimet e papërshtatshme politike e ekonomike. Sipas këtij instituti, vonesat në miratimin dhe zbatimin e reformave kanë ndikuar në vazhdimin e problemeve të evidentuara nga KE-ja.

Sa i përket luftimit të korrupsionit, raporti evidenton progres të kufizuar, veçanërisht në trajtimin e korrupsionit të nivelit të lartë. IKD vlerëson se Kosova ende nuk ka një kornizë strategjike gjithëpërfshirëse për luftimin e korrupsionit dhe as një qasje të koordinuar për forcimin e përpjekjeve në këtë drejtim.

Në reagimin e tij, IKD e ndërlidh gjendjen e reformave edhe me krizën politike dhe institucionale që e ka përcjellë vendin që nga zgjedhjet e shkurtit 2025. Sipas institutit, bllokadat institucionale, zgjedhjet e përsëritura dhe vonesat në vendimmarrje kanë penguar procesin legjislativ, mbikëqyrjen parlamentare dhe zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin evropian.

Raporti, sipas IKD-së, evidenton edhe probleme në reformën e administratës publike, ku pavarësisht disa përparimeve, vazhdojnë të mbeten sfida në profesionalizimin e shërbimit civil, rekrutimin mbi bazën e meritës dhe llogaridhënien.

Në fushën e mediave, IKD veçon kritikat e shoqërisë civile të përfshira në raport lidhur me mungesën e transparencës dhe parregullsitë e pretenduara në përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së dhe RTK-së. Shqetësim mbetet edhe mosfunksionimi i Bordit të Ankesave të KPM-së që nga nëntori i vitit 2023, si dhe kriza financiare me të cilën po përballet transmetuesi publik.

IKD u ka bërë thirrje Kuvendit, Qeverisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për adresimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian.

Instituti kërkon përcaktimin e përgjegjësive të qarta institucionale, afateve të matshme dhe mekanizmave transparentë të raportimit, duke theksuar se Kosovës nuk i nevojiten më premtime për reforma, por institucione funksionale dhe rezultate konkrete. /Lajmi.net/