Igli Hasani mohon të ketë përplasje mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ishte i ftuar këtë të mërkurë në Euronews Albania, ku ndau pikëpamjet e tij mbi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës. Hasani mohoi që të ketë një përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut Albin Kurti, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera. Ministri…

Lajme

23/10/2024 13:26

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ishte i ftuar këtë të mërkurë në Euronews Albania, ku ndau pikëpamjet e tij mbi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës.

Hasani mohoi që të ketë një përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut Albin Kurti, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera.

Ministri i Jashtëm ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për avancimin e Kosovës në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian, si dhe këshilloi qeverinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve në koordinim me aleatët sa i takon situatës në veri.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Të ndalojmë pak te rajoni ynë, te Ballkani. Fillimisht po e nis me Kosovën. Si janë marrëdhëniet e Tiranës me Prishtinën?

Ministri Hasani: Të shkëlqyera. Dhe këtu citoj kryeministrin Kurti, i cili në një intervistë të parë para disa ditësh e ka shprehur hapur se nganjëherë vetëm lajmet e këqija përbëjnë lajm.

Ne e dimë që lajmet e mira asnjëherë nuk përbëjnë lajm. Kosova është pika kryesore e punës së politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Gjithmonë ka qenë dhe në momentet më të vështira të shtetit shqiptar, është fokusuar tek ajo që ndodhte apo ndodh aktualisht në Kosovë.

Kemi një angazhim shumë të fortë, kemi një angazhim direkt, kemi një marrëdhënie që duhet marrë për shembull në raportet që dy vendet kanë në kushtet aktuale. Dhe ne vazhdojmë të punojmë në një mënyrë organike për tema të rëndësishme.

Pyetje: Pse nuk ju duket kështu, zoti Ministër?

Ministri Hasani: Çështje perceptimi.

Pyetje: Përplasjet mes Ramës dhe Kurtit.

Ministri Hasani: Nuk shoh ndonjë përplasje për asgjë. Nuk shoh ndonjë përplasje për asgjë substanciale. Nuk shoh ndonjë përplasje për tema që kanë të bëjnë me ardhmërinë e Kosovës, me njohjen e Kosovës si vend të pavarur dhe për tërësinë dhe integritetin e territorit të saj.

Nuk shoh asnjë përplasje për angazhimin që ka Shqipëria për maksimalizimin e përpjekjeve, që Kosova të jetë sa më pranë Bashkimit Evropian. Të jetë një vend që të hapë apo të shkelë gjithë ato etapa që vendet e tjera i kanë shkelur dhe të përparojë në mënyrë sa më të shpejtë, pasi bëhet fjalë për një vend patjetër me një demokraci vibrante. Një vend thelbësisht pro euroatlantik konkuron me Shqipërinë në përqindjet e dëshirës për të qenë sa më pranë dhe sa më shpejt familjes euroatlantike. Dhe për një realitet që është vetëm pozitiv, me njerëz që po shtyjnë përpara për të pasur një shoqëri dhe ata sa më të shpejtë europianistë.

Pyetje: A duhet të hapet ura mbi lumin Ibër, zoti Ministër?

Ministri Hasani: Nuk është pyetje a duhet hapur; patjetër që ura duhet hapur. Nuk ka qenë ndonjëherë në pyetje duhet apo s’duhet. Padyshim që nuk mund të ketë ura dhe nuk mund të ketë ndarje në realitetet që ne të gjithë i kemi krijuar. Ajo që ne kemi thënë ka qenë që çdo hap duhet të koordinohet. Flasim për të njëjtën logjikë, flasim për të njëjtat veprime, flasim për të njëjtën mënyrë të menduarit, por nganjëherë flasim për metoda pak të ndryshme pune. Ajo që ne kemi propozuar, këshilluar, ka qenë gjithmonë që veprimet të ndërmerren të koordinuara.

Pyetje: Pse duhet Kosova të pyesë ndërkombëtarët për një gjë që ata vetë e thonë që është e ligjshme?

Ministri Hasani: Detyrimi i shtetit amë, detyrimi i Shqipërisë është që gjithmonë të përcjellë mesazhe pozitive dhe konstruktive ndaj të gjithë atyre që janë të angazhuar për çështjen e shqiptarëve në rajon. Ne shikojmë si shumë të rëndësishme që çdo përpjekje që ka të bëjë me stabilitetin e secilit prej nesh, të jetë e mirëkoordinuar me aleatët tanë kryesorë, dhe aleatët kanë qendrime të cilat, siç edhe e thashë, janë plotësisht në të njëjtën linjë që ndonjë nga ne mendon se duhet bërë. Por mënyrat janë pak të ndryshme. Hajde të përshtasim mënyrat sesi merren vendimet, dhe ka shembuj shumë të mirë, të paktën po flas për Shqipërinë. Në momentin që Shqipëria ka vepruar në përputhje dhe në angazhim të njëjtë me atë që i kanë thënë aleatët e vetë, rezultatet kanë qenë shumë herë më të mira.

Pyetje: A e dëmton Kosovën e gjithë kjo që ka ndodhur, zoti Ministër? Mosmarrëveshja me partnerët ndërkombëtar, vendosja e sanksioneve dhe gjithë këtë proces në të cilin Kosova është?

Ministri Hasani: Unë dua ta shoh gjithë gjënë pozitive. Unë dua që vëllezërit dhe motrat tanë në Kosovë të përgatiten për të qenë sa më shpejt e sa më parë pjesë e një familje të madhe, pjesë e familjes euroatlantike. Edhe të gjitha përpjekjet që ata duhet të bëjnë, të ndihmuar nga ne, të mbështetur nga ne, duhet të jenë për ta bërë Kosovën një vend sa më shpejt kandidat të Bashkimit Evropian, edhe kandidat për anëtarësimin në NATO. Por këto janë hapa që duhet të jenë të mirëllogaritur.

Pyetje: Statusin e vendit kandidat duhet ta kishte marrë Kosova?

Ministri Hasani: Nuk kam asnjë mendim ndryshe, jam partizani më i madh i gjithë përpjekjeve që kolegët në Prishtinë po bëjnë, që ta shtyjnë flamurin euroatlantik në përpjekjet e tyre.