Ibrahimi pas vërshimeve kërkon themelimin e Fondit Emergjent për Komuna: Çdo vonesë rrit rrezikun për qytetarët dhe pronën publike
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka paralajmëruar nevojën për veprim të menjëhershëm institucional pas vërshimeve të fundit që kanë prekur disa komuna të Kosovës. Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha për lajmi.net se dëmet nga përmbytjet janë serioze dhe prekin jo vetëm ekonomitë familjare dhe bizneset, por edhe infrastrukturën publike. Ai vuri në pah…
Lajme
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka paralajmëruar nevojën për veprim të menjëhershëm institucional pas vërshimeve të fundit që kanë prekur disa komuna të Kosovës.
Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha për lajmi.net se dëmet nga përmbytjet janë serioze dhe prekin jo vetëm ekonomitë familjare dhe bizneset, por edhe infrastrukturën publike. Ai vuri në pah situatën alarmante në komunën e Malishevës, ku diga e lumit Mirusha është në gjendje shumë të keqe dhe paraqet rrezik serioz, duke kërkuar intervenim urgjent dhe profesional.
“Çdo vonesë rrit rrezikun për qytetarët dhe pronën publike”, tha Ibrahimi, duke kërkuar themelimin e menjëhershëm të Fondit Emergjent për Komuna, si mekanizëm i përhershëm që mundëson reagim të shpejtë në raste fatkeqësish natyrore. Ai shtoi gjithashtu nevojën për eliminimin e burokracisë së panevojshme në rimbursimin e dëmeve, e cila po penalizon qytetarët dhe komunat.
Ibrahimi përmendi edhe shembuj konkret: në komunën e Drenasit, nga reshjet e para disa viteve janë dëmtuar shtatë ura, të cilat ende nuk janë sanuar, duke treguar dështimin e mekanizmave aktualë të kompensimit.
Ai theksoi se vendimet e kuvendeve komunale, mbi bazën e vlerësimeve profesionale të komisioneve, duhet të ekzekutohen nga niveli qendror. Në rast se niveli qendror formon komisione të vetat vlerësuese, ato vlerësime gjithashtu duhet të zbatohen pa vonesa, duke shmangur procedurat burokratike që zgjasin me vite.
“Nuk mund të vazhdojmë të kemi situata ku dëmet mbesin të pakompensuara për vite të tëra, ndërsa qytetarët dhe komunat mbajnë barrën financiare të fatkeqësive natyrore. Kjo gjendje duhet dhe duhet të ndryshojë,” përfundoi Ibrahimi./lajmi.net/