Ibrahimi: Dëmet nga vërshimet në disa komuna tejkalojnë 5 milionë euro, Qeveria të alokoj menjëherë mjetet financiare

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka shkruar në lidhje me dëmet që kanë shkaktuar vërshimet e muajit janar në Kosovë. Ai ka thënë se sipas vlerësimeve fillestare të Komunave që janë prekur nga këto vërshime, dëmet deri më tani tejkalojnë shumën prej 5 milionë euro dhe kanë prekur rëndë ekonomitë familjare,…

Lajme

19/03/2026 11:52

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka shkruar në lidhje me dëmet që kanë shkaktuar vërshimet e muajit janar në Kosovë.

Ai ka thënë se sipas vlerësimeve fillestare të Komunave që janë prekur nga këto vërshime, dëmet deri më tani tejkalojnë shumën prej 5 milionë euro dhe kanë prekur rëndë ekonomitë familjare, bizneset lokale dhe infrastrukturën publike.

“Komunat më të prekura, sipas vlerës së dëmeve, janë:

  • Gjakova – 2.7 milionë euro
  • Drenasi – mbi 1.5 milionë euro
  • Peja, Rahoveci dhe Mitrovica – nga 800 mijë euro secila
  • Klina – mbi 650 mijë euro
  • Malisheva – 540 mijë euro
  • etj”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka thënë se vlerësimet në disa komuna të tjera ende nuk janë përfundimate.

Ibrahimi i ka bërë thirrje nivelit qendror për:

  • Reagim urgjent dhe të koordinuar institucional;
  • Alokim të menjëhershëm të mjeteve financiare;
  • Aktivizim të fondeve emergjente dhe mekanizmave shtetërorë;
  • Mbështetje konkrete për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e normalitetit për qytetarët dhe bizneset.
  • Dhe të shtohet veprimi insitucional që këto mos të përseriten, pra të punohet dhe veprohet në parandalimin e vërshimeve.

“Komunat nuk mund të përballojnë të vetme këtë barrë financiare. Pa një ndërhyrje të shpejtë nga niveli qendror, rrezikohet seriozisht realizimi i shumë projekteve dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët. Komunat dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, mbeten të përkushtuara për bashkëpunim të plotë institucional, por njëkohësisht kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe konkret”, ka shkruar Ibrahimi. /Lajmi.net/