“Ibër-Lepenci” u kishte dhënë afat deri dje, sot rrënohet hoteli “Jezero” i serbëve që uzurpuan pronën në zonën e Ujmanit
Punonjësit e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, të asistuar nga Policia e Kosovës, kanë zhvilluar sot në mëngjes një aksion në zonën e Ujmanit, ku është rrethuar me shirit sigurie moteli “Jezero”, objekt për të cilin ndërmarrja pretendon se ndodhet në pronë të uzurpuar. Por, tani në këtë vend veçse është rrënuar objekti i hotelit të njohur…
Lajme
Punonjësit e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, të asistuar nga Policia e Kosovës, kanë zhvilluar sot në mëngjes një aksion në zonën e Ujmanit, ku është rrethuar me shirit sigurie moteli “Jezero”, objekt për të cilin ndërmarrja pretendon se ndodhet në pronë të uzurpuar.
Por, tani në këtë vend veçse është rrënuar objekti i hotelit të njohur në veri të vendit “Jezero”.
Rrënimi i këtij objekti në zonën e Ujmanit ka nisur rreth orës 10:20.
Në vendngjarje janë parë punonjës të “Ibër-Lepencit”, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët po sigurojnë mbarëvajtjen e aksionit. Objekti është rrethuar me shirit sigurie, ndërsa hyrja në të është kufizuar gjatë zhvillimit të procedurave.

Të gjitha gjërat personale të cilat u takonin serbëve të këtij hoteli janë larguar paraprakisht nga aty, ndërsa dje veçse ka përfunduar afati që “Ibër Lepnci” u dha pronarëve të këtij hoteli për të liruar pronën që ishte uzurpuar.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, bëri të ditur se zyrtarët policorë janë në terren për të asistuar institucionet përgjegjëse gjatë realizimit të këtij aksioni.
“Policia e Kosovës është duke ofruar asistencë për ndërmarrjen publike ‘Ibër-Lepenci’, si dhe për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në kuadër të procedurave që po zhvillohen në këtë lokacion”, thuhet në konfirmimin e tij.
E siç bëhet e ditur familja që drejtonte këtë hotel kanë ngritur padi kundër drejtuesit të Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, ku kanë nisur edhe procedura civile, me një kërkesë që gjykata të ndalojë përkohësisht çdo prishje ose ndryshim të gjendjes ekzistuese derisa të zgjidhet mosmarrëveshja pronësore.
“Ibër-Lepenci” kishte njoftuar edhe më herët se kishte kërkuar nga shfrytëzuesit lirimin vullnetar të objektit, duke theksuar se bëhet fjalë për pronë publike që, sipas pretendimeve të ndërmarrjes, është uzurpuar dhe shfrytëzuar pa bazë ligjore.
Ndërkohë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse gjatë aksionit ka pasur incidente apo persona që kanë kundërshtuar zbatimin e vendimit. Aksioni është duke vazhduar, ndërsa pritet që institucionet përgjegjëse të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve në terren./Lajmi.net/





