IACP-ja mbledh drejtorët e policisë nëpër botë, Hoxha: Duhet të krijojmë rrjet që shkon përtej kufijve

Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve të Policisë (IACP) ka mbledhur edhe një herë udhëheqësit e policëve nga e gjithë bota, për të mbajtur konferencën e radhës. Në ngjarjen madhore që po mbahet në Boston të SHBA-së, pjesë po merr edhe një delegacion nga Kosova, me drejtorin Gazmend Hoxha në krye. Përgjatë takimit, policë dhe drejtorë nga…

Lajme

24/10/2024 15:12

Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve të Policisë (IACP) ka mbledhur edhe një herë udhëheqësit e policëve nga e gjithë bota, për të mbajtur konferencën e radhës.

Në ngjarjen madhore që po mbahet në Boston të SHBA-së, pjesë po merr edhe një delegacion nga Kosova, me drejtorin Gazmend Hoxha në krye.

Përgjatë takimit, policë dhe drejtorë nga shtete të ndryshme kanë biseduar lidhur me teknologjinë e fundit për detektimin e krimit si edhe çështje relevante mbi sfidat me të cilat përballen policitë nëpër botë.

“Ne, si drejtues të policisë, duhet të ndajmë përvojën tonë kur takohemi dhe gjithashtu të krijojmë një rrjet, sepse ndonjëherë, kur kemi probleme ose sfida të përditshme, mund të kontaktojmë dikë, disa miq dhe të përdorim përvojën e tyre për të zgjidhur problemet.

Në ditët tona dhe në të ardhmen, kriminelët po punojnë shumë mirë së bashku, kështu që ata shkojnë përte kufijve. Ne si punonjës policie dhe drejtorë duhet të krijojmë një rrjet që të shkojë edhe përtej kufijve, për t’u gjetur zgjidhje sfidave dhe kriminelëve. Ne krijojmë shumë kontakte, por edhe shumë mësime nga seancat që mbahen, veçanërisht për sfidat e ardhshme, teknologjitë e reja, duke përdorur analizat e të dhënave, dronët dhe anti-dronët”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.