I ‘zbuloi’ Limajt një takim me Memli Krasniqin: Haradinaj jep llogaritjet e veta për qeveri të opozitës dhe pakicat joserbe
Në pritje të iniciativës së PDK-së për qeveri të opozitës…me Fatmir Limajn s’jemi marrë vesh me dalë me aso deklarime…por ndoshta e ka pas veç si strategji negocuese…Limaj para dy dite është takuar me Memli Krasniqin, dhe shpresoj të merren vesh më së miri, sepse e mirëpres…pakicat jo-serbe nuk shkojnë me Kurtin sepse s’ka shumicë,…

Lajme
Në pritje të iniciativës së PDK-së për qeveri të opozitës…me Fatmir Limajn s’jemi marrë vesh me dalë me aso deklarime…por ndoshta e ka pas veç si strategji negocuese…Limaj para dy dite është takuar me Memli Krasniqin, dhe shpresoj të merren vesh më së miri, sepse e mirëpres…pakicat jo-serbe nuk shkojnë me Kurtin sepse s’ka shumicë, veç i thonë “i dashur, të duam shumë, por s’dalim në opozitë”…kush e ndihmon Kurtin të bëjë qeveri i ndihmon armiqtë e vendit…nuk kam kushte ndaj PDK-së dhe LDK-së.
Të gjitha këto, përmbledhtazi, i tha Ramush Haradinaj, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në paraqitjen e parë në media që nga ‘paqartësia’ që shkaktoi partneri i vet i koalicionit, Fatmir Limaj.
Haradinaj tha se Albin Kurti i Vetëvendosjes nuk i ka numrat për të ndërtuar qeveri të re dhe se edhe pakicat joserbe (dy prej tyre) të deklaruara për qeveri të Vetëvendosjes, tërhiqen kur të shohim se nuk e kanë shumicën parlamentare – dhe se për këtë gjë “atyre hiç s’ju vjen marre me i thanl ‘i dashur, të duam shumë, por s’mund të dalim në opozitë”; dhe këtë e arsyetoi nga “përvoja” e vet.
“Është shumë në rregull që ata kanë qef Qeveri Kurti, por ato shkojnë me shumicë shqiptare…E njoh Emiljen, është me përvojë dhe edi çka flet e kur flet…Në momentin që Kurti s’e ka shumicën, pakicat i thonë i dashur të duam shumë, por ata (opozita e kanë shumicën) s’mundemi me nejt jashtë”, tha Ramush Haradinaj në “Rubikon” të Klan Kosovës.
“Po e them nga përvoja. Kjo më ka ndodh mu, kur s’un pata ba shumicën. I kemi katër (deputetë) më shumë se Kurti, dhe asnjë nga pakicat nuk rrinë në opozitë me Kurtin për shkak të besnikërisë ndaj tij, këtë le ta harron gjithkush, jo veç Kurti..Pakicat veç po i dalin hakut Albinin me këto fjalë që i thonë”:
“Në momentin kur opozita ka shumicë, atyre hiç s’ju vjen marre mju thanë ‘tung shihemi tjetër herë’. Komunitetet nuk shkojnë me simpati, kush e bën shumicën”, tha Haradinaj,
Për Limajn…
Haradinaj kur u pyet për deklarimin e Limajt të para tre javëve se “kush t’më thërret, unë shkoj ulem” – deklarim ky që ishte heqje e vijave të kuqe për Albin Kurtin – tha se beson që Limaj ta ketë pasur atë si “strategji negocuese” ose “të nxitjeve të temave” por se beson që partneri i vet parazgjedhor do të jetë për qeveri të opozitës.
“Nashta Limaj këtë e ka strategji negocuese ose të nxitjes së temave. Pra nuk jam vërtetë i sigurt se çka ka vlerësuar…Na kem garu bashkë dhe jam i kënaqur për rrugën. Dhe jemi bashkë në opozitë dhe qevero të opozitës. Nuk jam i sigurt, por po them, por kjo mund të jetë një strategji e tij negocuese. Por qëndrimi im është i qartë që kushdo që bashkëpunon me Kurtin, është armik i Kosovës, dhe i bën dëm këtij vendi”, tha Haradinaj.
Megjithëkëtë, Haradinaj tha pa-një-pa-dy se qëndrimi i Limajt e ka lënë të habitur, sipas tij, “sepse nuk jemi marrë vesh me dalë me ato qëndrime” dhe se “nuk kam komunikuar me të që nga zgjedhjet”.
Por, shpaloi një gjë që vetë Limaj nuk e ka bërë: se qënkash takuar me Kryetarin e Partisë Demokratike të Ksoovës, Memli Krasniqin “para dy dite” dhe se këtë gjë “e mirëpres”.
“Limaj ka deklaru që po don me negocu për rolin e tij pas zgjedhjeve vet, është legjitime. Ai është taku me Memlin para disa ditëve. Shpresoj që merret vesh më së miri. E kam mirëprit takimin e Limajt me Memlin”, tha Ramush Haradinaj.
Haradinaj, mes tjerash, tha se ka komunikim edhe vet me dy kryetarët tjerë të partive opozitare: Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun – dhe se nga ta “pres iniciativën” për bashkim opozitar.
“Praktika e thotë që ai që është fituesi, nga opozita PDK-ja, atyre ju takon iniciativa, dhe ata nuk ish dasht në pafundësi me mbetë pa një ofertë. Nëse PDK e Hamza thonë që e marrim mandatarin, ata duhet me fillu me shkru një plan qeverie, çka bën qeveria e udhëhequr nga PDK…duhet m’i qite pikat”, tha Ramush Haradinaj.