I grabitën viktimës zinxhirë të arit nën kërcënimin e thikës e sëpatës, Prokuroria e Gjilanit ngrit aktakuzë ndaj dy të dyshuarve

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve A.I. dhe E.D., pasi që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Grabitja’’ nga neni 317 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ata dyshohen se me datën 18 janar 2025, në Gjilan, me qëllim të dobisë pasurore të kundërligjshme, me përdorimin…

Lajme

14/02/2025 11:40

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve A.I. dhe E.D., pasi që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Grabitja’’ nga neni 317 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ata dyshohen se me datën 18 janar 2025, në Gjilan, me qëllim të dobisë pasurore të kundërligjshme, me përdorimin e forcës apo kanosjes serioze, me mjet të rrezikshëm sëpatë dhe thikë, kanë kryer grabitje në dëm të të dëmtuarit A.A.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit fillimisht e thërrasin viktimën të takohen, hyjnë në veturën e tij dhe kërkojnë nga i njëjti që të lëvizë në drejtim të parkingut të banesave, ku pasi i dëmtuari kundërshton, i pandehuri A.I. nën kërcënimin e sëpatës, ndërsa i pandehuri E.D., nën kërcënimin e thikës, arrijnë që të njëjtit nga qafa t’ia marrin zinxhirin e arit, tentojnë t’ia marrin edhe zinxhirin e dorës, e më pas në veturë marrin edhe një orë dore, zbresin nga vetura e të dëmtuarit dhe largohen nga vendi i ngjarjes.

Ndërkaq, të pandehurit sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan gjenden në masën e paraburgimit që nga data 19 janar 2025. /Lajmi.net/