I vazhdohet arresti shtëpiak sekretarit të ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për vazhdimin masës së arrestit shtëpiak ndaj sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqit. Vendimi për arrest shtëpiak për Bytyqin ishte marrë pas hetimeve ndaj tij nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe armëmbajtje pa leje”. Vendimin për vazhdim…
Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për vazhdimin masës së arrestit shtëpiak ndaj sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqit.
Vendimi për arrest shtëpiak për Bytyqin ishte marrë pas hetimeve ndaj tij nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe armëmbajtje pa leje”.
Vendimin për vazhdim të masës së arrestit shtëpiak për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës themelore në Prishtinë, Mirrlinda Gashi.
Gashi tha se Gjykata mori vendim që masa ndaj tij të vazhdohet edhe për një muaj.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale ndaj të pandehurit I.B. Të pandehurit I.B i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej (1) muaj, respektivisht deri me datë 08.12.2024”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit, zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.
Bytyqi kishte qenë i njohur për organet e hetuesisë dhe drejtësisë edhe disa vite më parë./Lajmi.net/