I sekuestrohen edhe 55 mijë euro pronarit të “G&G exclusive”, përpos mashtrimit i iniciohet rast edhe për “shpërlarje parash”
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se gjatë hetimeve i janë sekuestruar edhe 55 mijë euro, pronarit të “G&G exclusive”. Prokuroria ka njoftuar se dje (e mërkurë), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar dy kontrolle në Komunën e Gjakovës, shkruan lajmi.net. Siç njofton Prokuroria, ndaj tij është iniciuar rast në lidhje me veprën…

Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se gjatë hetimeve i janë sekuestruar edhe 55 mijë euro, pronarit të “G&G exclusive”.
Prokuroria ka njoftuar se dje (e mërkurë), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar dy kontrolle në Komunën e Gjakovës, shkruan lajmi.net.
Siç njofton Prokuroria, ndaj tij është iniciuar rast në lidhje me veprën “Shpërlarja e parave”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik dhe të dëmtuarit në çështjen penale kundër të pandehurit G.G për veprën penale ‘’Mashtrimi’’ nga neni 323 par.4 se në vazhdën e hetimeve ndaj të pandehurit G.G., me datë 12.03.2025 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka realizuar dy (2) kontrolle në Komunën e Gjakovës, me ç’rast ka sekuestruar edhe pesëdhjetë e pesë (55) mijë euro para të gatshme dhe njëkohësisht ka inicuar rast në lidhje me veprën penale ‘’Shpërlarja e parave’’ nga neni 56 i ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizimit. Rasti vazhdon të mbetet nën hetime dhe ndodhet në fazën finale”, ka njoftuar Prokuroria e Kosovës.
Në lidhje me rastin, sot ka njoftuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.
“Graçanicë / Vitet 2023-2024. Më 12.03.2025 me qëllim të sigurimit të provave shtesë lidhur me rastin janë arrestuar një mashkull kosovar dhe një femër kosovare si dhe janë kryer bastisje në dy lokacione në rajonin e Gjakovës ku janë sekuestruar kontrata të ndryshme dhe para në vlerë prej 55 000€. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh.
E më 5 mars të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kundër të pandehurit në rastin G.G. për veprën penale “Mashtrimi” në vazhdën e hetimeve i janë ngrirë/sekuestruar edhe 166 parcela të cilat gjenden në komunën e Novobërdës dhe Graçanicës.
Po ashtu janë ngrirë/sekuestruar edhe dy banesa në Prishtinë, në vlerë mbi 1 milion euro për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se janë përfituar me vepër penale, raporton lajmi.net.
Rasti vazhdon të mbetet nën hetime dhe ndodhet në fazën finale.
Ndryshe kompania G&G exclusive dyshohet se para të shumta nga persona të ndryshëm, por nuk ndërtoi villat e tyre për të cilat paguan.
I pandehur në këtë rast është pronari, Granit Gojani.
Në lidhje me mashtrimet që i ishin bërë në këtë rast rreth 80 persona kishin raportuar rastet e tyre në Policinë e Kosovës.
Pas shumë raportimeve, Policia nisi hetimet dhe me urdhër të Prokurorisë arrestoi dhe vazhduan hetimet ku u zbuluan edhe shumë mashtrime të tjera mijëra eurosh. /Lajmi.net/