“I paralajmëroj shkelësit e Kushtetutës”, Gani Geci paralajmëron kallëzim penal ndaj Kurtit e Haxhiut

Gani Geci ka paralajmëruar se do të paraqesë kallëzim penal ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ushtruesit të detyrës së kryeministrit, Albin Kurti, si dhe deputetes Albulena Haxhiu, duke pretenduar se veprimet ose mosveprimet e tyre mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Geci ka thënë se vendimin e tij e ka…

Lajme

09/08/2026 13:15

Gani Geci ka paralajmëruar se do të paraqesë kallëzim penal ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ushtruesit të detyrës së kryeministrit, Albin Kurti, si dhe deputetes Albulena Haxhiu, duke pretenduar se veprimet ose mosveprimet e tyre mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Geci ka thënë se vendimin e tij e ka marrë pas leximit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO124/25.

“I paralajmëroj shkelësit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës se do të bëj kallëzim penal kundër tyre për veprime ose mosveprime që mund të përbëjnë shkelje të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Geci.

Ai ka pretenduar se, bazuar në interpretimin e tij të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kurti dhe Haxhiu mund të kenë cenuar rendin kushtetues dhe mund të kenë konsumuar elemente të veprave të tjera penale.

“Unë, duke e lexuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO124/25, po dyshoj se vetë Lëvizja Vetëvendosje, z. Albin Kurti dhe znj. Albulena Haxhiu, me veprimet ose mosveprimet e tyre, mund të kenë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe mund të kenë konsumuar elemente të veprave të tjera penale”, ka shkruar ai.

Geci ka bërë të ditur se kallëzimin penal do ta paraqesë ndaj Kurtit, në cilësinë e kryetarit të Vetëvendosjes dhe ushtruesit të detyrës së kryeministrit, si dhe ndaj Haxhiut, për rolin e saj në procesin e konstituimit të Kuvendit.

Haxhiu tashmë është deputete e betuar e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Prandaj, po i paralajmëroj se do të paraqes një kallëzim penal ndaj këtyre personave si përgjegjësit kryesorë, duke kërkuar nga organet kompetente të drejtësisë që të hetojnë nëse veprimet ose mosveprimet e tyre përmbajnë elemente të ndonjë vepre penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Geci.

Në paralajmërimin e tij, Geci ka përfshirë edhe persona të tjerë përgjegjës, të cilët, sipas tij, mund të identifikohen gjatë procedurës eventuale hetimore.

Ai ka kërkuar që organet kompetente të drejtësisë të vlerësojnë nëse veprimet ose mosveprimet e personave të përmendur përmbajnë elemente të ndonjë vepre penale. /Lajmi.net/