“I ndershëm, i guximshëm” – Gërvalla ‘gojëmjaltë’ kur flet për Pecin, i quan produkte të krimit të organizuar lajmet për skandalet në ministrinë e Bujqësisë

Kryetarja e ‘Guxo’ Donika Gërvalla-Schwarz i ka quajtur produkte të krimit të organizuar lajmet për skandalet në ministrinë e Faton Pecit. Gërvalla me një postim e ka ngritur në qiell Pecin, të cilit çdo javë po i zbulohet nga një skandal në mandatin e tij 4-vjeçar si ministër i Bujqësisë, shkruan lajmi.net “Faton Peci është…

Lajme

16/05/2025 18:14

Kryetarja e ‘Guxo’ Donika Gërvalla-Schwarz i ka quajtur produkte të krimit të organizuar lajmet për skandalet në ministrinë e Faton Pecit.

Gërvalla me një postim e ka ngritur në qiell Pecin, të cilit çdo javë po i zbulohet nga një skandal në mandatin e tij 4-vjeçar si ministër i Bujqësisë, shkruan lajmi.net

“Faton Peci është ministër i shkëlqyeshëm, sepse është punëtor i madh, i ndershëm deri në palcë, i guximshëm si rrallë kush, i ditur, i edukuar, plot integritet dhe dinjitet.”, ka shkruar Gërvalla në postimin e saj, duke thënë se ndaj ministrit në detyrë të Bujqësisë ka fushatë të orkestruar.

Ajo nuk u ndal me kaq, sulmoi më tutje mediat, duke i quajtur lajmet për skandalet e Pecit si produkte të krimit të organizuar.

Postimi i plotë:

Faton Peci është ministër i shkëlqyeshëm, sepse është punëtor i madh, i ndershëm deri në palcë, i guximshëm si rrallë kush, i ditur, i edukuar, plot integritet dhe dinjitet.

Fushatat e orkestruara dhe sistematike të muajve të fundit kundër Fatonit, para dhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, janë produkt i krimit të organizuar dhe përfaqësuesve dhe pronarëve të bizneseve mediatike, që veç gazetarë nuk janë. Shtrembërimet, trillimet dhe gënjeshtrat e tyre të hapura janë shprehja më e qartë e dëshpërimit të atyre që tentuan me sajime e fabrikime të njollosin ministrin jo vetëm të suksesshëm të qeverisë Kurti, por edhe shumë të dashur për qytetarët.

Këto fushata të rreme dhe denigruese nuk pijnë ujë në Kosovë. Qytetari e njeh mirë Fatonin, e vlerëson punën dhe ndershmërinë e tij dhe prandaj me votë e ka ngritur aty ku e meriton, në mesin e më të votuarve në Republikën e Kosovës.

Jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që kemi kapërcyer, por edhe për ato që na presin gjatë
4-vjeçarit të ardhshëm. Por nuk ka fushatë njollosëse, nuk ka kërcënim e as sulm që na ndal. Ju, që veç gazetarë nuk jeni, vazhdoni me gënjeshtra e sajime, e ne po vazhdojmë me punët e shumta që kemi përpara, me nder, dinjitet e integritet. E në fund, qytetari është ai që na e bën vlerësimin.