I mbijetuari i masakrës së Dubravës, rrëfen tmerrin e asaj dite

Ishte vetëm 24 vjeç, kur 15 vite më parë përjetoi atë që nuk ka ndodhur askund në botë. Sadik Zeqiri, ish i burgosur i cili i mbijetoi masakrës në burgun e Dubravës, pranon se kanë nevojë për trajtim mjekësorë ai dhe të gjithë ata që përjetuan të tilla ngjarje.

Lajme

18/05/2014 19:11

Nga rreth 1 mijë të burgosur të cilët ishin në rreshtin e parë janë gjuajtur për vrasje me bomba e armë dhe mbi 150 të burgosur politik dhe ordiner shqiptarë janë vrarë, ndërsa mbi 300 janë plagosur ndër ta edhe Sadiku.

Ai për KosovaPress sjellë një rrëfim tejet të hidhur dhe meqë i kujton edhe bisedat që janë bërë në atë burg, fton prokurorët vendorë dhe ata ndërkombëtarë të merren me këtë çështje, por këshillon që kjo të mos i lihet në dorë Serbisë.

“Neve më së pari na kanë bart nga burgjet që kemi qenë unë kam qenë burgun e Pejës na kanë çu me datë 15 mars në vitin ‘99 në burgun e Dubravës, aty na kanë mbledh gjithë të burgosurit dhe me fol të drejtën ne kemi menduar pasi që e dinim se është duke u biseduar për ndërprerjen e luftës mendonim se aty po na bashkonin gjithë bashkë dhe të na lirojnë që të shkojmë nëpër shtëpi tona, por aty ka ndodh e kundërta….. Aty me datë 19, me datë 21 duke vazhduar deri më datë 23 ne të burgosurit shqiptarë jo vetëm të burgosu politik por edhe ordiner janë vrarë mbi 150 ndërsa janë plagos mbi 300 të cilët është dashtë të kenë përkujdesje mjekësore por atë përkujdesje e kanë ofruar vetë të burgosurit duke i prirë asaj valle edhe shumë i nderuari Nait Hasani bashkë me shokë”, ka thënë Zeqiri.

Zeqiri e kujton si në muajin maj kanë parë se po liroheshin disa të burgosur, ndër ta edhe Ukshin Hoti i cili është liruar dy ditë para se ta kryente burgun.

Thotë se nuk kanë qenë në dijeni kush po lirohej dhe shpjegon se nga data 19 maj deri më 24, kanë përjetuar atë që nuk ka ndodhur askund në botë.

E kujton saktë se një herë janë bombarduar nga NATO e pastaj nga Serbia.

“Ne kemi përjetuar masakra që vetëm Serbia ka mundur t’i llogaris dhe ti bëjë ato, më së pari jemi bombarduar nga aleatët tonë nga NATO të cilët kanë rënë në kurthe të informacioneve nga Serbia dhe kanë bombarduar pavijonin C1 ku kam qenë unë i burgosur, i stacionuar me shumë shokë të tjerë dhe është bombarduar edhe rrethi i burgut duke menduar se aty ka paramilitar dhe militar serb. Për atë kemi qenë brenda burgut ndërsa jashtë ka pas forca paramilitare ushtar polic etj”, ka vazhduar rrëfimin Zeqiri.

Ishte vetëm 24 vjeç atë kohë por kishte parë e përjetuar gjëra të tmerrshme dhe të papërballueshme në burg.

Thotë se si pasojë e atyre që po i përjetonin tre të burgosur atë kohë kishin bërë vetëvrasje, ngase nuk kanë mundur tu përballojnë torturave.

“Unë atë herë veç i kam mbush 24 vjet sepse me 15 maj e kam pas ditëlindjen unë jam burgos si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk kam qenë i dënuar, jam dënuar më vonë me 2 vite burg…. Ne kemi parë njerëz të burgosur shokë tanë bashkëluftëtarë tanë me kokë të këputur, me këmbë të këputur, me gjoks të hapur, me gjymtyrë të këputura të gjuajtura koka te këmbët, kemi parë gjëra që ka qenë vështirë me u përballu, për atë si pasoj unë si e di, dy ose tre të burgosur kanë mbytë veten në burgun e Dubravës, sepse nuk kanë mundur ti përballojnë asaj situate që e kemi parë”.

I mbijetuari i asaj masakre thotë se ajo ishte e organizuar nga aparati shtetërorë serb, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes.

Ai e kujton se si me të burgosurit e tjerë kanë dëgjuar nga telefonat e gardianëve se deri në atë kohë të burgosurit ishin në duar të paramilitarëve, ndërsa nga ajo ditë kompetencat për ta i kanë kaluar te Ministria e Punëve të Brendshme.

Për këtë çështje, Zeqiri i fton prokurorët e shtetit të Kosovës të merren me këtë rast dhe Bashkësisë Ndërkombëtare, e jo të ja lënë në dorë Serbisë.

“Ajo ka qenë një punë e organizuar e dy ministrive edhe e Ministrisë së Drejtësisë bashkë me ta, por që as bota as vetë Kosova nuk ka fuqi as të merret me këtë problem. Jo veç të merren deklarata dhe informacione prej të burgosurve por të punohet në atë drejtim dhe mos të merret prokuroria speciale e Serbisë por të merret prokuroria e Kosovës sepse krimet janë bërë në Kosovë nuk janë bërë në Serbi. Dhe me këtë le të merret prokuroria e Kosovës, shteti i Kosovës, bashkësia ndërkombëtare, dhe gjithë ata gardian, të burgosur serb që anë qenë aty dhe kanë qenë në anën e gardianëve, paramilitar dhe gjithë ata që janë gjallë le të japin llogari për masakrën që e kanë bërë në burgun e Dubravës”, ka pohuar Zeqiri.

Zeqiri, ka thënë se ata që i kanë shpëtuar kësaj masakre kanë pasur fat ndërsa pohon se kurrë nuk do ti harrojë ish të burgosurit në burgun e Dubravës të gjallët dhe ata që janë vrarë.

E pranon se personat që i kanë përjetuar këto ngjarje, kanë nevojë për trajtim mjekësor, mirëpo sipas tij, deri më tani nuk kanë gjetur përkrahje institucionale që nga paslufta.

Thotë se si shoqëri komplet duhet të trajtohemi nga shteti, në mënyrë të organizuar, te psikologë të ndryshëm, kjo sipas tij, meqë kanë gjëra që nuk mund ti përballon njeriu.

(Kosovapress)