I mbijetoi Masakrës së Dubravës, rrëfimi rrëqethës i Ekrem Kastratit: Ishte si kasaphane, prisnim të vriteshim – pjesa më dramatike

Një nga momentet më të dhimbshme që ndau Kastrati ishte përjetimi i masakrës së Dubravës, të cilën e quajti si një nga tragjeditë më të mëdha të njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore. Ai rrëfeu për vrasjet dhe masakrat që ndodhën para syve të tij e shumë të burgosurve. Maj 1999. Burgun e Dubravës e…

Lajme

04/10/2025 16:26

Një nga momentet më të dhimbshme që ndau Kastrati ishte përjetimi i masakrës së Dubravës, të cilën e quajti si një nga tragjeditë më të mëdha të njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore. Ai rrëfeu për vrasjet dhe masakrat që ndodhën para syve të tij e shumë të burgosurve.

Maj 1999. Burgun e Dubravës e mbuloi tymi i zi i dhunës. Forcat serbe kryejnë një prej krimeve më të rënda ndaj të burgosurve shqiptarë. Masakra la pas dhjetëra të vrarë dhe të plagosur – një plagë që nuk shërohet kurrë. Për Kastratin, ajo është pjesa më e dhimbshme dhe dramatike e jetës.

“Ne gjatë vuajtjes së dënimit pjesa më e vështirë dhe sfiduese që ka sjellë dhe dhimbje në jetën tonë ka qenë masakra e Dubravës ku ka ndodhur nga forcat serbe, ku na kanë rënë shumë shokë dëshmorë dhe shumë të tjerë që janë të plagosur dhe që vuajnë ende nga plagët e marra në Burgun e Dubravës, prandaj kjo masakër është masakra më e madhe që ka ndodhur në historinë e njerëzimit pas Luftës së Dytë Botërore që një shtet me struktura të veta të sigurisë, përkatësisht me njerëz të cilët kanë qenë zyrtarë të shtetit të Serbisë e kanë zhvilluar atë masakër në Burgun e Dubravës që për ne ka qenë pjesa më e dhimbshme e jetës tonë, që sa herë e kujtojmë sepse atje kanë rënë shumë shokë dëshmorë”, ka thënë ai.

“Masakra ka ndodhur në sytë e të gjithë të burgosurve, i kemi parë të vrarët, të masakruarit sepse edhe ne kemi pritur se do të vritemi dhe masakrohemi nga forcat serbe, mirëpo ka qenë aq numër i madh i të vrarëve dhe masakruarve, sa që kur erdhi një moment ata e ndërprenë vrasjen dhe masakrimin e të burgosurve të tjerë, sepse Burgu i Dubravës u shndërrua në një kasaphane, në një vend ku gjithandej kishte kufoma, njerëz të masakruar, të plagosur, kështu që kjo pamje apo kujtesë e jona është pjesa më e dhimbshme dhe më dramatike e jetës tonë”, ka kujtuar Kastrati.

Pas transferimit në burgun e Nishit, më 10 qershor 1999, arrin lajmi që ndryshon gjithçka: Forcat serbe janë larguar nga Kosova dhe populli është i lirë. Edhe pse në burg, Kastrati thotë se ky ishte momenti më i mirë për të gjithë.

“Pas masakrës së Dubravës ne pësuam një transfer në burgun e Nishit, më 10 qershor 1999 dhe atje kuptuam që forcat serbe janë larguar nga Kosova dhe tashmë populli i Kosovës është i lirë, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe ka qenë ndoshta momenti më i lumtur i jetës sonë, edhe pse ishim të burgosur e me plagë e me dhimbje për shokët që kishim humbur në burgun e Dubravës dhe të gjitha burgjet tjera në Serbi, kur e kuptuam që u larguan forcat serbe nga Kosova dhe tashmë qytetarët e Kosovës ishin të lirë, ka qenë momenti më i mirë për të gjithë ne”, është shprehur ai për gazeta blic në emisionin “Expose”.

Por, si e sheh Ekrem Kastrati Kosovën 26 vite pas luftës?

“Kosova ka përparuar shumë, ka ecur në rrugën e saj drejt zhvillimit në të gjitha drejtimet, prandaj jam shumë i kënaqur me të arriturat e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe tashmë Kosova ka rrugën drejt realizimit të aspiratave të saj në integrimin në strukturat euroatlantike, në BE. Ne të gjithë që kemi pasur të jetojmë dhe mbijetojmë pas luftës, kemi detyrë esenciale që të realizojmë amanetin e dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve në të gjitha periudhat, e posaçërisht të luftës së fundit, dëshira apo amaneti i tyre ka qenë që ta forcojmë shtetin, ta zhvillojmë atë dhe në këtë mënyrë fëmijët tanë ta shohin të ardhmen në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Ekrem Kastrati.