I hiqet dorëzania dhe i caktohet paraburgimi të pandehurit për krim të organizuar

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit M.M., dhe ia ka hequr masën e dorëzanisë, kurse shuma prej 30 mijë euro e deponuar në emër të dorëzanisë transferohet në Programin për Kompensimin…

Lajme

30/09/2024 16:24

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit M.M., dhe ia ka hequr masën e dorëzanisë, kurse shuma prej 30 mijë euro e deponuar në emër të dorëzanisë transferohet në Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se M.M., dyshohet se ka kryer veprën penale “Krim i organizuar” lidhur me veprën penale “Prodhimi, përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge ose mjeteve, pajisjeve dhe materialit për narkotik”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të pandehurit M.M i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji dhe i është hequr masa e dorëzanisë. Të pandehurit M.M i hiqet masa e dorëzanisë dhe caktohet se vlera e mjeteve monetare në shumë prej 30,000.00 (tridhjetëmijë) euro, e deponuar më datë 27.03.2023 në emër të dorëzanisë, të derdhet në Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, thuhet në njoftim.

Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.M, duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe të strukturuar kriminal, me dashje ka vepruar në grup kriminal të organizuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ku janë marrë me prodhimin dhe kultivimin e substancave narkotike të cilat i përpunojnë dhe më vonë i shesin.

“…Po ashtu edhe kanë blerë me qëllim të shitjes të substancave narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë, ashtu që me rastin e kontrollit të zbatuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës me urdhëresë të gjykatës, tek i pandehuri janë gjetur një sasi e substancave narkotike, bimë të mbjellura narkotike, paisje për përgatitjen e tyre për ti plasuar në treg, e të cilat janë sekuestruar nga policia me rastin e zbatimit të urdhër kontrollit në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurve”, thuhet në njoftim.

Me këtë, ekziston dyshimi mirë i bazuar se ka kryer veprën penale “Krim i organizuar” lidhur me veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotropçe, analoge apo veglave, paisjeve apo materialeve narkotike”.

Gjykata thekson se vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme, sepse rreziku i ikjes i referohet faktit se i pandehuri ka qenë nën masën e dorëzanisë, i cili e ka dorëzuar edhe dokumentin e udhëtimit – pasaportën sipas vendimit të gjykatës, por i njëjti është ndaluar në pikën kufitare më 27 shtator 2024 rreth orës 23:00 duke hyrë në Kosovë nga territori i Serbisë, pa dokument të udhëtimit – pasaportë, pasi të njëjtit i është ndaluar në gjykatë sipas vendimit të Gjykatës.

“Me këtë nëse i njëjti lihet në liri paraqet rrezik real për ikjen e tij, sidomos në territorin e shtetit të Serbisë, pasi i njëjti ka nënshtetësi serbe, andaj edhe rreziku i ikjes, zvarritja e procedurës penale e potencialisht edhe përsëritja e veprave penale ekziston, ngase i njëjti ka vepruar në grup kriminal të organizuar, atëherë gjykata vlerësoj se kërkesa e prokurorisë është mjaftueshëm e bazuar”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.