I dyshuari për vrasjen në Malishevë është bashkëshorti i viktimës që gjithashtu është i plagosur – Detaje nga Prokuroria në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen që ka ndodhur në Gjakovë, ku ka vdekur një grua dhe bashkëshorti i saj është plagosur. Sipas Prokurorisë, i dyshuari është bashkëshorti i viktimës, i cili poashtu ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është në gjendje të rëndë dhe kritike…

Lajme

24/08/2026 10:26

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen që ka ndodhur në Gjakovë, ku ka vdekur një grua dhe bashkëshorti i saj është plagosur.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari është bashkëshorti i viktimës, i cili poashtu ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën, shkruan lajmi.net.

“Prokurori i Shtetit, ka dal në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, për kryerjen e autopsi. Nga Prokurori i Shtetit rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti dhe sigurimit të provave relevante”, ka njoftuar Prokuroria.

Rastin sot për lajmi.net e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, saktësisht zëdhënësja e Policisë në Gjakovë, Vlera Krasniqi.

Ajo ka thënë për lajmi.net se dje rreth orës 23:20 kanë marrë informacion për një plagosje.

Në vendin e ngjarjes, në një dhomë gjumi janë gjetur dy persona, një çift bashkëshortor, të plagosur nga arma e zjarrit.

Të plagosurve u është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe më pas janë dërguar për trajtim në QKUK.

“Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast. Rreth orës 01:10, nga QKUK jemi njoftuar se viktima femër, e moshës madhore, ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar  rast “Vrasje e rëndë”. Hetimet lidhur me rrethanat e rastit janë duke vazhduar”, ka thënë Krasniqi.

Qendra Emergjente në QKUK ka njoftuar se viktima është e moshës 25 vjeçare, ndërkaq bashkëshorti i saj, i dyshuar është 26 vjeçar.

Sipas QKUK-së, dje rreth orës 00:15, janë pranuar dy persona nga rajoni i Malishevës.

Gruaja e moshës 25 vjeçare ka arritur në Qendër Emergjente pa shenja jete me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit, ndërsa bashkëshorti i saj 26 vjeçar është pranuar me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit dhe aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente.

“Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë shumë e rëndë. Për rrethanat dhe shkaqet e sakta të rastit, kompetente janë organet përkatëse të hetimit. Stafin emergjent- QKUK, është duke ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe, në përputhje me procedurat në fuqi, do të bashkëpunojë me institucionet kompetente”, ka njoftuar Qendra Emergjente në QKUK.  /Lajmi.net/