I dorëzuan familjes foshnje tjetër në “Spitalin Amerikan II” Ministria merr vendim që inspektorja të shkojë në Komision Disiplinor, nga spitali thonë se trajtohen shqetësimet e “klientëve”

Një ngjarje sa e rëndë edhe skandaloze u raportua të ketë ndodhur muaj më parë në kuadër të Spitalit Amerikan 2 në Prishtinë. Bëhet fjalë për rastin e rëndë ku një familje u trondit nga fakti se në këtë spital i ndërruan foshnjën. Ky ngatërrim i foshnjave ka ndodhur më 18 mars 2026, vetëm disa…

Lajme

20/10/2026 09:40

Një ngjarje sa e rëndë edhe skandaloze u raportua të ketë ndodhur muaj më parë në kuadër të Spitalit Amerikan 2 në Prishtinë.

Bëhet fjalë për rastin e rëndë ku një familje u trondit nga fakti se në këtë spital i ndërruan foshnjën. Ky ngatërrim i foshnjave ka ndodhur më 18 mars 2026, vetëm disa orë pas lindjes së foshnjës. Sipas dokumenteve zyrtare bëhej e ditur se nëna e foshnjës ka reaguar, duke thënë se kjo nuk është foshnja e saj, por që shqetësimi i saj ishte neglizhuar nga stafi mjekësor.

Por si fillim krejt ky rast tejet i rrezikshëm për shoqërinë tonë, pasoi vetëm me një vërejtje nga Inspektorati Shëndetësorë.

Për dallim nga institucionet e tjera ku edhe për gabime të vogla janë shqiptuar gjoba, Inspektorati Shëndetësor nuk ka shqiptuar gjobë ndaj “American Hospital Kosova II” për këtë rast skandaloz e as për punën ilegale që ishte duke e bërë infermierja Vlora Rama. Inspektorati Shëndetësor i ka dhënë spitalit “American Hospital Kosova II” të Klodian Allajbeut vetëm vërejtje me shkrim.

Lidhur me këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë, nga ku u tha se gjatë inspektimit janë konstatuar mangësi edhe në veprimet e zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor, për çka janë ndërmarrë masa ndaj tyre.

Sipas përgjigjes së Ministrisë së Shëndetësisë, inspektimi i rastit ka evidentuar probleme në procedurat që lidhen me identifikimin e foshnjës dhe verifikimin e saj në momentin e dorëzimit te nëna.

Gjithashtu u tha se nga kontrolli i dokumenteve është konstatuar gjithashtu se infermierja, ndonëse posedon licencë të vlefshme pune, nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit (DLA) dhe pas kësaj Kryeinspektori Shëndetësor ka ndërmarrë këto masa, ku ndër të tjerash inspektorja e rastit është referuar për në Komisioni Disiplinor, raporton lajmi.net.

“Inspektorati Shëndetësor ka inspektuar rastin e ndërrimit të foshnjave, të ndodhur më 18 mars 2026. Inspektimi ka evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna.Nga kontrolli i dokumentëve është konstatuar gjithashtu se infermierja, ndonëse posedon licencë të vlefshme pune, nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit (DLA).

Përveç mangësive të evidentuara në procedurat e identifikimit të foshnjës dhe dokumentacionin e personelit, Ministria ka bërë të ditur se gjatë shqyrtimit të mënyrës së trajtimit të rastit janë konstatuar mangësi edhe në veprimet e zyrtarëve të vetë Inspektoratit Shëndetësor.

Për këtë arsye, Kryeinspektori Shëndetësor ka ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve përgjegjës.

“Pas shqyrtimit të mënyrës së trajtimit të rastit, janë evidentuar mangësi edhe në veprimet e zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor. Për këtë, Kryeinspektori Shëndetësor ka ndërmarrë këto masa”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

E mbi gjithë këtë ngjarje tejet të rëndë, lajmi.net ka kontaktuar edhe Spitalin Amerikan 2. Të njëjtit pacientëve të cilët trajtohen në këtë spital fillimisht u janë referua si “klientë”- njësoj sikur të jetë biznes për shit-blerje apo diçka e ngjashme.

Nga ky spital kanë deklaruar se shqetësimet e “klientëve” tanë trajtohen me përkushtim të veçantë nga ekipi i Spitalit Amerikan.

“Tani jemi duke hulumtuar rreth rastit tuaj dhe do ju kontaktojmë sa me pare qe është e mundur”, u tha tutje në përgjigje.

Sipas këtij institucioni, masat e ndërmarra janë:

Inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar.

Zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim.

Përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është shqiptuar vërejtje me gojë.

Ndër të tjerash në përgjigjen e MSh-së thuhet se do monitorohet zbatimi i masave dhe zbatimeve në këtë rast, duke shprehur keqardhje për shqetësimin e krijuar tek familja.

“Ministria shpreh keqardhje për shqetësimin dhe pasigurinë e shkaktuar familjes së prekur. Institucionet përgjegjëse do të monitorojnë zbatimin e masave dhe rekomandimeve”.

Si ndodhi ngatërrimi i foshnjave në “Spitalin Amerikan II”?

Rasti në fjalë ka ndodhur më 18 mars 2026, vetëm disa orë pas lindjes së foshnjës në spitalin “American Hospital Kosova II” në Graçanicë.

Raportohet se nëna kishte reaguar kur i ishte dorëzuar foshnja, duke deklaruar se ajo nuk ishte bebja e saj, por shqetësimi i saj ishte neglizhuar nga stafi mjekësor.

Në ankesën e bërë nga babai i foshnjës, thuhet se stafi mjekësor e kishte marrë foshnjën rreth orës 23:00 të 18 marsit, ndërsa të nesërmen ia kishte kthyer bashkëshortes së tij një foshnjë tjetër.

Babai i foshnjës kishte paraqitur ankesë lidhur me rastin, pas së cilës Inspektorati Shëndetësor kishte kryer inspektimin në këtë institucion shëndetësor.

Sipas informacioneve nga ky rast bëhej e ditur se pas denoncimi të prindit për skandalin e ndërrimit të foshnjës së tij, inspektorët shëndetësorë kishin shkuar për inspektim në “American Hospital Kosova II”, ku janë konstatuar një varg parregullsish në këtë spital që emrin e ka amerikan, por që është në pronësi të një kompanie nga Shqipëria, ku në ueb faqen e saj shkruan se drejtor ekzekutiv është biznesmeni Klodian Allajbeu.

Pas kësaj nga Inspektorati Shëndetësor u tha se pas marrjes së ankesës nga pacientja J.K. në “American Hospital Kosova II” ka kryer inspektimin, duke mbledhur deklaratat me shkrim nga mjekët që kanë trajtuar pacienten si dhe gjithë dosjen e pacientes në fjalë.

Inspektorët shëndetësorë gjatë inspektimit kanë konstatuar se personeli shëndetësor i “American Hospital Kosova II” nuk e ka marrë seriozisht dyshimin e nënës dhe nuk ka ofruar menjëherë verifikim, ku vetëm pas insistimit të nënës është bërë kontrolli i shiritit identifikues, me ç’rast është konstatuar se beba nuk i përkiste asaj.

Infermierja që dorëzoi foshnjën e gabuar ishte e palicencuar

Mirëpo, konstatimi më shqetësues që lidhet me boshtin e ngjarjes, ka të bëjë me faktin se inspektorët shëndetësorë kanë zbuluar se infermierja Vlora Rama, e cila i kishte dërguar nënës foshnjën e gabuar, nuk ishte e lajmëruar dhe as licencuar nga “American Hospital Kosova II” në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të Ministrisë së Shëndetësisë. Pra, puna e saj si profesioniste shëndetësore në “American Hospital Kosova II” ishte ilegale.

Inspektorët shëndetësorë me këtë rast i kanë ndaluar infermieres ofrimin e shërbimeve shëndetësore në spital deri në lajmërim dhe licencim në sistemin e DLA në Ministrinë e Shëndetësisë.

Spitali nuk u gjobit për rastin skandaloz

Për dallim nga institucionet e tjera të shumta në Kosovë, ku shqiptohen gjoba Inspektorati Shëndetësor nuk ka shqiptuar gjobë ndaj “American Hospital Kosova II” për këtë rast skandaloz e as për punën ilegale që ishte duke e bërë infermierja Vlora Rama. Por Inspektorati Shëndetësor i ka dhënë spitalit “American Hospital Kosova II” të Klodian Allajbeut vetëm vërejtje me shkrim./Lajmi.net/