I burgosuri vdes në spital, KMDLNj ngre alarmin për kushtet në burgje
Një i burgosur në Qendrën Korrektuese të Dubravës ka ndërruar jetë më 15 shtator në Spitalin Rajonal të Pejës, pas komplikimeve shëndetësore. Bëhet fjalë për Tasim Zhuniqin, 64 vjeç, i cili ishte në vuajtje të dënimit dhe ishte dërguar me urgjencë për trajtim nga njësia ambulantore e burgut. Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave…

Lajme
Një i burgosur në Qendrën Korrektuese të Dubravës ka ndërruar jetë më 15 shtator në Spitalin Rajonal të Pejës, pas komplikimeve shëndetësore. Bëhet fjalë për Tasim Zhuniqin, 64 vjeç, i cili ishte në vuajtje të dënimit dhe ishte dërguar me urgjencë për trajtim nga njësia ambulantore e burgut.
Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), i ndjeri vuante nga komplikime të rënda pulmonare dhe ishte trajtuar në kuadër të kapaciteteve ekzistuese në burg, të cilat KMDLNj i konsideron të pamjaftueshme për trajtimin e rasteve të rënda mjekësore.
Me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, siç parashihet me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP).
KMDLNj ka theksuar se vdekja e të burgosurit është një tjetër dëshmi e mungesës së investimeve serioze në shëndetësinë brenda sistemit korrektues. Sipas tyre, mungesa e një spitali funksional në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës, si dhe kushtet e vështira për trajtim të brendshëm, e bëjnë të pamundur ofrimin e kujdesit adekuat shëndetësor për personat e privuar nga liria.
“Transporti i të burgosurve për trajtim, sidomos të rasteve me rrezikshmëri të lartë, paraqet problem të madh. Mungesa e kapaciteteve në institucionet shëndetësore publike mbetet një sfidë e madhe si për Shërbimin Korrektues të Kosovës, ashtu edhe për Shërbimin Shëndetësor të Burgjeve,” – thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Këshilli gjithashtu ngriti shqetësime për, siç e quajti, “pandjeshmërinë e gjykatave”, të cilat sipas tyre, refuzojnë vazhdimisht kërkesat për ndërprerje të dënimit edhe në rastet kur personat e dënuar vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, pavarësisht rekomandimeve mjekësore.
KMDLNj i ka shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe ka kërkuar reflektim institucional të menjëhershëm për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen.