​I bien copëza të betonit në terasë në Prishtinë, zjarrfikësit ndërhyjnë

Ekipet e zjarrfikësve sot kanë intervenuar duke hequr disa copëza të betonit që kanë rënë nga terasat e një ndërtese në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, në rrugën Rrustem Statovci. Një qytetar prapa kamerës, për KosovaPress tha se disa pjesë të forta ranë nga katet më të larta të ndërtesës në terasën e tij, në…

Lajme

31/05/2025 14:00

Ekipet e zjarrfikësve sot kanë intervenuar duke hequr disa copëza të betonit që kanë rënë nga terasat e një ndërtese në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, në rrugën Rrustem Statovci.

Një qytetar prapa kamerës, për KosovaPress tha se disa pjesë të forta ranë nga katet më të larta të ndërtesës në terasën e tij, në katin e parë, e më pas në tokë, për çka edhe i thirri ekipet e zjarrfikësve që të ndërhyjnë.

“Unë i thirra për të sanuar (problemin) qe edhe kati i tretë e ka problemin e njëjtë atje. Po besoj që edhe katet e tjera e kanë të njëjtin problem…Dimrit ka problem me akull që bie. Hera e parë që e pashë se ra diçka ashtu. Nuk e di a prej katit dytë, po supozoj që prej katit të dytë ka rënë tek llastra, është copëtuar dhe ka rënë në tokë. Por, bazuar një shpejtësi me siguri ka rënë prej katit të katërt ose të pestë”, tha qytetari.

Këtë e konfirmoi edhe inspektori i Emergjencave, Fadil Gashi, i cili tha se pasi pranoi thirrjen nga një qytetar dërgoi ekipin e zjarrfikësve që të dalin në terren për të parë situatën.

Prapa kamerës, Gashi tha se janë larguar copëzat e betonit nga rruga dhe terasa.