I bëhet thirrje Qeverisë ta themelojë zonën ekonomike amerikane
Heqja e tarifës prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vlerësuar nga njohës të ekonomisë si mundësi për tërheqjen e investimeve amerikane. Ekspertja e tregtisë ndërkombëtare, Sytrime Dervisholli, thotë se, që kjo të stimulohet, Qeveria duhet t’i kthehet edhe iniciativës për themelimin e zonës së veçantë ekonomike…

Lajme
Heqja e tarifës prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vlerësuar nga njohës të ekonomisë si mundësi për tërheqjen e investimeve amerikane.
Ekspertja e tregtisë ndërkombëtare, Sytrime Dervisholli, thotë se, që kjo të stimulohet, Qeveria duhet t’i kthehet edhe iniciativës për themelimin e zonës së veçantë ekonomike amerikane.
“Para disa vitesh ka pasur një iniciativë që të themelohet edhe një zonë ekonomike për bizneset amerikane, që kjo do t’i dërgonte sinjal Qeverisë së SHBA-së, departamentit për tregti, që ta shqyrtojë mundësinë për investime në një masë më të madhe, pasi ne kemi investime amerikane, por që prezenca amerikane të intensifikohet në Kosovë”, ka thënë Dervisholli.
E, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë se përtej studimit të fiziblitetit që është kryer nga Qeveria Haradinaj në 2018-n, nuk ka pasur ndonjë veprim nga ato pasuese. Ai ka folur për rëndësinë që do ta ketë jetësimi i kësaj zone.
“Zhvillimi i aktivitetit industrial nuk do t’u nënshtrohej as detyrimeve doganore e as detyrimeve të tjera tatimore pa nxjerrjen e produkteve finale. Për vite me radhë jemi munduar që ta shpalosim këtë idenë për zhvendosjen e disa fabrikave më të vogla në Kosovë, ku do të bëhej montimi i automjeteve të ndryshme dhe Zona Ekonomike Amerikane do të kishte qenë hapësira më e përshtatshme e dedikuar për këtë qëllim”, ka thënë Zeka.
Vjet, Kosova ka importuar mallra nga SHBA-ja në vlerë prej 106 milionë euro, ndërsa i ka eksportuar rreth 39 milionë euro.
Që shteti ta rrisë fuqinë e tij eksportuese drejt SHBA-së, sipas Dervishollit, duhet që të punojë në ngritjen e standardeve, por fillimisht duke e rritur prezencën në BE.
“Më e lehtë për kompanitë kosovare është që të depërtojë në tregjet evropiane edhe aty ku mësohet më lehtë dhe pranohesh më lehtë. Tregu amerikan është interesant për të eksploruar. Jemi me disa produkte prezentë atje, por jo aq prezentë sa jemi në tregun e Bashkimit Evropian”, ka thënë ajo.
E, drejtori i Institutit GAP, Blendi Hasaj, thotë se tregtia me SHBA-në diktohet edhe nga raportet tregtare që ky shtet i ka me vendet e BE-së, pas vendosjes së tarifave të reja.
“Mund të ketë efekt zinxhiror në rritjen e çmimeve dhe kjo mund t’i shtyjë disa nga tregtarët që të importojnë drejtpërdrejt produkte nga SHBA-ja. Kjo varet nga bizneset se ku e shohin atë më profitabile, por duhet parë se ku do të krijohen disa sektorë që janë ekonomikisht më të favorshëm, të importohet nga SHBA-ja sesa nga Gjermania, Franca apo shtetet e tjera të BE-së”, ka thënë Hasaj.
E, në një përgjigje të shkruar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë është thënë se energjia, mbrojtja, infrastruktura dhe sektori i informacionit janë disa nga sektorët që SHBA-ja i sheh si mundësi për bashkëpunim ekonomik me Kosovën.
Sipas Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA), investimet amerikane gjatë vitit 2024 e kapën vlerën prej rreth 87 milionë eurosh.