I akuzuari për vrasjen e argjentinases Maria Clara sillet në Gjykatë
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po mbahet seanca për vrasjen e argjentinases Marua Clara në Fushë Kosovë. Në këtë seancë, do të shpallet aktgjykimi për të akuzuarin për vrasjen e saj, Endrit Nikën. Nika është sjell në Gjykatë, sot nën masa të rrepta sigurie. Endrit Nika nga Prokuroria akuzohet se pas një mosmarrëveshjeje paraprake me…
Lajme
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po mbahet seanca për vrasjen e argjentinases Marua Clara në Fushë Kosovë.
Në këtë seancë, do të shpallet aktgjykimi për të akuzuarin për vrasjen e saj, Endrit Nikën.
Nika është sjell në Gjykatë, sot nën masa të rrepta sigurie.
Endrit Nika nga Prokuroria akuzohet se pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij M.K.U., me dashje që ta privojë nga jeta, e kishte nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur tanimë të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor, ajo kishte ndërruar jetë në QKUK.
Prokurori Armend Hamiti në fjalën përfundimtare tha se i akuzuari Endrit Nika e ka privuar nga jeta anëtarin e familjes, në këtë rast argjentinasen, me të cilën ka qenë duke bashkëjetuar.
Prokurori tha se mosmarrëveshjet që kishin filluar në auto-parkingun e hotelit në Fushë-Kosovë kishin vazhduar edhe në dhomën e hotelit.
Tutje, prokurori tha se me këto elemente vërtetohet qëllimi i të akuzuarit për ta privuar nga jeta tashmë të ndjerën.
“I akuzuari pas një mosmarrëveshjeje ka vazhduar sjelljen agresive ndaj Maria Clares që ka bashkëjetuar, me qëllim të privimit nga jeta, e ka privuar duke e hedhur nga dhoma e hotelit. Pra nga provat është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar që veprimet e tij kanë qenë të qëllimshme të drejtuar me pasoja fatale duke i përmbushur elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë” – tha prokurori.
Sipas Prokurorisë, mënyra e dhunës dhe vazhdimësia e saj kanë treguar qartë se veprimet e të akuzuarit Nika nuk kanë qenë aksidentale
“Krijojmë një zinxhir logjik dhe juridik që dëshmon se janë përmbushur elementet objektive dhe subjektive të vrasjes së rënde, të privimit nga jeta të një anëtari të familjes” – tha Hamiti.
Prokurori tutje tha se nga dëgjimi i ekspertit është konstatuar se nuk ka pasur defekt teknik dritarja e hotelit, pra, sipas prokurorit, për të rënë dritarja është dashur të përdoret forcë shtytëse dhe se korniza e dritares nuk del pa forcë të qëllimshme dhe të kombinuar.
“Xhami statik nuk mundet me ra poshtë pa forcë shtytëse, ekspertiza e ka konfirmuar që s’ka pasur defekt teknik, dhe korniza nuk del pa forcë të qëllimshme dhe e kombinuar”- shtoi prokurori.
“Kush e ushtroi forcën për nxjerrjen e kornizës së xhamit dhe rënien e Maria Clares?”- pyeti prokurori Hamiti, duke ndërlidhur administrimin e provave dhe gjendjen që sipas Prokurorisë vetëm dy persona kanë qenë në dhomë.
Prokurori në fjalën përfundimtare tha se është mbyllur zinxhiri provues pasi është argumentuar se kush e ka shtyrë argjentinasen nga kati i gjashtë i hotelit. Sipas tij, të gjitha provat tregojnë se dikush e ka shtyrë e nuk ka rënë vetë tani e ndjera.
“Dhuna paraprake u pranua nga i akuzuari, ka pasur afërsi fizike me dritaren, ekspertiza teknike ka thënë që dritarja nuk del pa forcë të qëllimshme dhe të kombinuar, nuk ka person të tretë, nuk ekziston asnjë shpjegim alternativ i shpjegueshëm, e mohon forcën e pranon se dritarja nuk bie vetë” – tha prokurori.
Avokati i familjes së argjentinases, Betim Shala, tha se pas elaborimit të fjalës përfundimtare nga prokurori Armend Hamiti nuk i mbetet të shtojë asgjë më shumë rreth provave që e vërtetojnë se i akuzuari Endrit Nika e ka kryer këtë vrasje.
“Unë si përfaqësues me të vërtetë nuk më mbetet me thanë asgjë në lidhje me provat dhe faktet për vërtetimin e kryerjes së veprës penale”- tha Shala. /Lajmi.net/


