I akuzuari në rastin e vrasjes në Dragodan: Prej viktimës kam pasur kërcënime e shantazhe

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për vrasjen në Dragodan të Prishtinës, i akuzuari Mustafë Mustafa gjatë dhënies së mbrojtjes të mërkurën, tha se para se të ndodhte momenti kritik, kishte pasur kërcënime e shantazh nga tani i ndjeri R.T. “Prej asaj kohe kam pas shantazhe prej R., kam pas kërcënime, shantazhe edhe një…

Lajme

15/07/2026 16:41

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për vrasjen në Dragodan të Prishtinës, i akuzuari Mustafë Mustafa gjatë dhënies së mbrojtjes të mërkurën, tha se para se të ndodhte momenti kritik, kishte pasur kërcënime e shantazh nga tani i ndjeri R.T.

“Prej asaj kohe kam pas shantazhe prej R., kam pas kërcënime, shantazhe edhe një kohë derisa u detyrova me u taku edhe me i sqaru, me mbyll këtë”, tha Mustafa.

Në këtë rast, Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T,. në lagjen Dragodan dhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, Mustafë Mustafa po akuzohet për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Leutrim Mustafa për manipulim me prova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë dhënies së mbrojtjes, i akuzuari Mustafa tha se në vitin 2016 ishte njohur me R.T., dhe kjo jo për interes por që i kishte bashkuar miqësia dhe shoqëria.

Më tej, Mustafa tha se kishte marrë 5 mijë euro dhe një makinë nga R.T., për t’ia kthyer më vonë, dhe gjithashtu përkundër vullnetit të tij edhe një veturë tjetër.

Sipas tij, pas një kohë e kishte kuptuar se paratë dhe vetura ishin dhënë duke u llogaritur në formë të fajdesë, dhe atë kur i ishte prezentuar një dokument nga R.T., para vitit 2019.

I akuzuari Mustafa tha se në atë dokument shënonte se çdo muaj detyrohet të paguajë shumën prej 900 euro.

Gjithnjë sipas Mustafës, ai ishte munduar të bëjë zgjidhje të problemit për të mos ardhur deri te më e keqja, e që sipas tij tani i ndjeri R.T., e kishte përndjekur dhe vëzhguar vazhdimisht.

Më pas, mbrojtja e Mustafës u ndërpre për shkak të orarit të pauzës dhe do të vazhdojë muajve në vijim.

Paraprakisht, mbrojtjen e dha edhe i akuzuari Avni Mustafa, duke deklaruar se i qëndron pas deklarimit të dhënë në Prokurori dhe më pas tha se do të mbrohet në heshtje për të mos u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, përfaqësuesit të palës së dëmtuar dhe trupit gjykues.

Gjithashtu, në këtë gjykim u administruan provat materiale të propozuara nga prokurorja e rastit, Fatmire Cacaj, nga mbrojtësi i të akuzuarit Avni Mustafa, avokati Besnik Berisha, si dhe nga përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Jetlira Avdiaj.

Në këtë seancë, po ashtu u bë i ditur konstatimi i Agjencisë Forenzike të Kosovës përkitazi me grimcat e barutit, duke sqaruar se distanca e shkrepjes së plumbit e deri te caku u goditjes nuk ka qenë më shumë se 1 metër distancë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Avni Mustafa ngarkohet se më 19 mars 2023, rreth orës 13:20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtinë, për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.T, duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit. Paraprakisht, thuhet se me vëllanë e tij Mustafë Mustafa ishin takuar me tani të ndjerin dhe dy dëshmitarë, e që pas fjalosjes nisën të dalin nga hoteli ku i akuzuari Avni nxjerr revolen nga çanta e repetit dhe ia drejton R.T., e ky i fundit me qëllim të vetmbrojtjes nxjerrë thikën dhe e godet të pandehurin Mustafë e më pas të pandehurin Avni. Kështu, thuhet se duke u rrahur dalin jashtë hotelit, e më pas i pandehuri Avni shtie me armë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse viktimës R.T.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 të Kodit Penal dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Aktakuza thotë se i akuzuari tjetër, Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë, akuzohet se mori pjesë në rrahje të tani të ndjerit dhe se posedoi thikë, të cilën ia kishte marrë tani të ndjerit. Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Ndërkaq, i akuzuari Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, par.1 të Kodit Penal, pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga i pandehuri Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e tipit “Zastaava”, me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij. /BetimipërDrejtësi