I akuzuar për një sërë veprash të rënda seksuale ndaj grave të reja – Mendy lirohet me kusht nga gjykata

Futbollisti i Manchester Cityt, Benjamin Mendy, është liruar me kusht përpara gjyqit të tij për akuzat për përdhunim.

Sport

07/01/2022 16:52

Mendy, 27 vjeç, i akuzuar për një sërë veprash të rënda seksuale ndaj grave të reja, u lirua pas një seance dëgjimore me kusht në Chester Crown Court të premten.

Reprezentuesi francez ndodhet në paraburgim për 134 ditë, që kur u arrestua dhe u akuzua për herë të parë më 26 gusht të vitit të kaluar.

Futbollisti, i mbajtur në HMP Altcourse, Liverpool përpara se të transferohej së fundmi në HMP Manchester, iu dha lirimi me kusht nga gjyqtari Patrick Thompson në një seancë private nga e cila u përjashtua shtypi, ndërsa u diskutua për lirimin me kusht.

I pandehuri do të dilte në gjyq këtë muaj, por gjykimi është shtyrë më herët për 27 qershor.

Pasi lirimi me kusht ishte diskutuar mes avokatëve të Mendy dhe gjyqtarit, gazetarët u lejuan të ktheheshin në gjykatë.

Gjykatësi Thompson i dha Mendyt lirimin me kusht deri më 24 janar, data e seancës së tij të ardhshme gjyqësore.

Kushtet e plota të lirimit me kusht nuk u dhanë në gjykatë të hapur, por Mendyt iu tha se ai duhet të jetojë në adresën e shtëpisë së tij, të mos kontaktojë me ankuesit dhe të dorëzojë pasaportën e tij deri në mesnatën e së premtes.

I pandehuri, nga Withinlee Road, Prestbury, Cheshire, akuzohet për tetë vepra kundër pesë grave të ndryshme, duke përfshirë shtatë akuza për përdhunim në lidhje me katër gra dhe një akuzë për sulm seksual.

Akuzat janë tre akuza për përdhunim, që dyshohet se kanë ndodhur më 11 tetor 2020; prekje seksuale më 2 janar 2021; dy akuza për përdhunim më 24 korrik 2021 dhe dy akuza për përdhunim më 23 gusht 2021.

Mendy ka luajtur për Manchester Cityn që nga viti 2017, kur u bashkua nga Monaco për një shumë prej 52 milionë funtesh.

Ai u pezullua nga klubi pasi u akuzua nga policia, në pritje të një hetimi. /Lajmi.net/