Hyseni: Bllokimi në komunë është për fajin e Kuvendit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka fajësuar partitë opozitare në Kuvendin Komunal për mosvotim të buxhetit për vitin 2025. Ai ka thënë se partitë opozitare nuk i janë përgjigjur ftesës për të diskutuar për projektet që ata kanë për t’i përfshirë në buxhet, por përveç LDK-së të tjerat nuk janë përgjigjur pozitivisht. Hyseni…

Lajme

02/10/2024 22:33

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka fajësuar partitë opozitare në Kuvendin Komunal për mosvotim të buxhetit për vitin 2025.

Ai ka thënë se partitë opozitare nuk i janë përgjigjur ftesës për të diskutuar për projektet që ata kanë për t’i përfshirë në buxhet, por përveç LDK-së të tjerat nuk janë përgjigjur pozitivisht.

Hyseni në Tëvë 1, ka thënë se kërkesat e LDK-së nuk kanë qenë që lidhen me buxhetin.

Ai ka thënë se bllokimi nuk po ndodhë për shkak të ekzekutivit por Kuvendit Komunal.

“Bllokimi në komunën tonë nuk ka ndodhë për shkak të ekzekutivit, kemi dërguar ftesa e i kam ftuar publikisht që të vijnë në takim e prapë nuk kanë ardhur, PDK ka refuzua ftesën që ia kemi bërë një ditë para seancës për të diskutuar  edhe atë e kanë refuzuar. Ajo që nuk po funksion, që është blloku është Kuvendi, shumicën i kanë të tjerët dhe ne jemi të gatshëm që të diskutojmë e pranojmë kërkesat e opozitës në raport me buxhetin dhe kërkesat që i kanë për projekte”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se të gjendur në këtë situatë kanë kërkuar shpërbërjen e asamblesë komunale.

“Tash jemi në një pikë që praktikisht edhe ne i kemi duart e lidhura. Çfarë mund të bëjmë tash është të kërkojmë shpërbërjen e Kuvendit të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme për kuvend dhe mund të vazhdojmë me buxhetit paraprak që e aprovon ministria që komuna të vazhdojë me punën e saj”, ka thënë Hyseni.