Hysen Durmishi e “zbut” reagimin për Liburn Aliun, tani thotë se s’i përket atij a ishte pjesë e kryesisë apo kuvendit

Dorëheqja e Liburn Aliut nga posti i ministrit në detyrë të Infrastrukturës po shihet si më shumë se një vendim personal. Sipas politologëve, ky hap mund të jetë tregues i pakënaqësive të thella brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Ata vlerësojnë se Aliu nuk do të ndalet vetëm me largimin nga detyra ministrore, por pritet të shkëputet edhe…

Lajme

27/08/2025 15:45

Dorëheqja e Liburn Aliut nga posti i ministrit në detyrë të Infrastrukturës po shihet si më shumë se një vendim personal. Sipas politologëve, ky hap mund të jetë tregues i pakënaqësive të thella brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Ata vlerësojnë se Aliu nuk do të ndalet vetëm me largimin nga detyra ministrore, por pritet të shkëputet edhe nga partia.

Liburn Aliu ka dorëzuar sot te kryeministri në detyrë, Albin Kurti, letrën e dorëheqjes nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Aliu shprehet i zhgënjyer me zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, zgjedhja Bashës nuk është “në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”.

“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka shkruar Aliu.

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi thotë se përveç statusit nuk kishte ndonjë informacion tjetër nga Liburn Aliu.

I pyetur nëse Aliu e dinte për kandidaturën e Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit, i cili tashmë këtë detyrë e mori dje, Durmishi tha se Liburn Aliu nuk ka qenë as anëtarë kryesie e as deputet.

“Nuk e kam asnjë informacion përveçse statusin që e ka bërë ministri…Unë nuk kam pas asnjë informacion për këtë mund t’i pyesni të tjetër sa i përket se a ka qenë në kryesi jo nuk ka qenë anëtar kryesie dhe nuk ka qenë as deputet”, tha ai.

Lidhur me atë se tashmë Durmishi a do të udhëheqë në ministrinë e Infrastrukturës pas dorëheqjes së Liburin Aliut, zëvendësministri në detyrë tha se kjo është çështje e kryeministrit.

“Raportin e kemi pas shumë të mirë tash është zgjedhje e tij…Kjo është çështje e kryeministrit”, tha shkurt ai.

Por pak orë më parë Hysen Durmishi, u bë i pari që e goditi Liburn Aliun publikisht pas dorëheqjes së tij. Durmishi u pyet nga kallxo.com për këtë dorëheqje, dhe u shpreh kështu.

“Nuk e di, pyetni Liburn Aliun për këtë çështje. Liburn Aliu nuk është deputet. Nuk ka qenë as kandidat për deputet. Nuk është anëtar Kryesie në Vetëvendosje. Do të thotë vendimet në Lëvizjen Vetëvendosje merren në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje. është mënyra se si funksionon një organizatë politike. Ne mundemi me pas herë pas herë mospajtime për çështje të ndryshme, të cilat diskutohen në Këshill të Përgjithshëm, mandej në Kryesi. Por, kur merren vendimet me shumicë ato janë vendime demokratike të cilat respektohen pavarësisht ndonjë mospajtimi që mund ta ketë dikush”- u përgjigj Durmishi, kur u pyet nga KALLXO.com, se a do të thotë ky vendim i Aliut që është fundi i tij në Vetëvendosje.

Analistja politike, Magbule Shkodra dorëheqjen e Liburn Aliut nuk e sheh si vendim të papritur. Ajo beson se pakënaqësia e tij ka qenë më e hershme dhe më e thellë, duke theksuar faktin se ai nuk mori pjesë as në zgjedhjet për t’u kandiduar.

Shkodra beson që paknaqësitë që ish-ministri dhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu shprehu sot mund të sjellin largimin e tij nga ky subjekt politik.

“Mendoj se pakënaqësia e Liburn Aliut është shumë më e hershme ai nuk mori pjesë as në zgjedhje të kandidohet ,mirëpo Liburn Aliu ka pritur një shkak që ta gjejë një arsye në mënyrë që të dorëhiqet. Mendoj se prapa kësaj dorëheqje ka pakënaqësi të tjera të cilat ne nuk i dimë pa u bërë publike megjithatë kjo flet edhe pak më shumë se Brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka pakënaqësi. Por, një gjë është e mirë se ka edhe mendim ndryshe….Ai ka dhënë dorëheqje vetëm nga pozita e tij të cilin e mbante mendoj se do të tërhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje. Pritjet e mija janë këto sepse nuk është e mjaftueshme nëse ai e ka dhënë këtë arsyetim e të tërhiqet vetëm nga pozita, kur je i pakënaqur me atrë që po ndodh në parti zakonisht largohesh krejt nga partia”, tha Shkodra.

Gjatë ditës së sotme kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka caktuar sot zëvendësministrin e deritanishëm të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ushtrues të detyrës së ministrit të Drejtësisë, pas zgjedhjes së Albulena Haxhiut në pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës.

Dje, me 73 vota për është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

Kujtojmë, që Liburn Aliu nuk mori pjesë as në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit.