Hyn në kredi për ta shëruar vajzën

Ish-luftëtari i UÇK-së, është duke paguar çmime enorme për barëra për trajtimin e vajzës së tij nga sëmundja e Leukemisë. 

Lajme

06/09/2014 09:40

Albina Çela ditëlindjen e saj të pestë po e feston në Klinikën e Pediatrisë së QKUK-së. Kjo ngase ajo që disa javë është diagnostikuar me sëmundjen e Leukemisë. E shtrirë në shtratin e saj ajo flinte pa ditur se çfarë po ndodhte me të. Fytyra e saj ishte e zbehur dhe dukej e molisur. Fjeti për disa minuta dhe u zgjua duke tentuar që ta largojë infuzionin të cilin mjekët ia kishin vënë në këmbën e saj të majtë.

Infuzion ky që ishte duke e shoqëruar për këto pesë javë rresht. Në dhomën në të cilën ajo qëndronte, kishte dhe dhurata të cilat i ishin dhuruar asaj për ditëlindjen e saj të pestë. Nëna e Albinës e kishte shumë të vështirë ta shihte vajzën e saj në atë gjendje. Ajo filloi të rrëfejë gjendjen e saj. Afërdita thoshte se nuk kanë para të mjaftueshme për t’i mbuluar kostot e shpenzimeve.

“Albina është vajza ime e vogël pasi që unë kam edhe një djalë tetëvjeçar. E kemi shumë të vështirë t’i sigurojmë paratë për terapi. Albina është drita e syve të mi, po ja që po sprovohemi me këtë sëmundje”, tregonte me lot në sy Afërdita. Edhe babai i Albinës, Dibrani, rrëfen për kushtet e rënda të kësaj familjeje.

Familjes Çela në ndihmë nuk i kanë dal institucionet e Kosovës. Sipas kryefamiljarit, vetëm bamirësit janë duke u munduar që t’i ndihmojnë financiarisht Albinës. “Barnat nuk po gjinden këtu, ato po duhet të bljemë. Diku rreth 500 euro po më kushtojnë 8 injeksione. Kom hy në kredi për to”, ka thënë Dibrani.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se nga 1 milionëshi i parë i ndarë nga Qeveria prej Fondit 5.5 milionë euro, janë mbuluar tre raste të leukimisë.