Hyn në fuqi marrëveshja për njohjen reciproke të patentë shoferëve ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe
Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar zyrtarisht sot përmes një Note Verbale, të dërguar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi, se ka hyrë në fuqi Marrëveshja për njohjen reciproke të patentë shoferëve ndërmjet dy vendeve. Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Emirateve…

Lajme
Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar zyrtarisht sot përmes një Note Verbale, të dërguar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi, se ka hyrë në fuqi Marrëveshja për njohjen reciproke të patentë shoferëve ndërmjet dy vendeve.
Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që të konvertojnë patentë shoferët e tyre pa pasur nevojë t’iu nënshtrohen provimeve teorike apo praktike në vendin pritës. Ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të lëvizjes dhe integrimit të qytetarëve të të dyja vendeve.
“Ky zhvillim është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve përkatëse të të dyja shteteve dhe dëshmon për përkushtimin e ndërsjellë në forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale.
Marrëveshja është nënshkruar më 4 dhjetor 2024 në Abu Dhabi, nga Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, dhe Ministri i Punëve të Brendshme i Emirateve të Bashkuara Arabe, H.H. Sheikh Saif bin Zayed Al Nahyan”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MPJD.
MPDJ shton se kjo është marrëveshja e dytë me rëndësi të veçantë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, pas marrëveshjes së janarit 2024 që mundësoi heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke forcuar më tej lidhjet me një shtet me ndikim të rëndësishëm politik dhe ekonomik në rajon dhe në skenën globale.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen dhe konsideratat më të larta për autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm dhe konstruktiv, thuhet në njoftim.