Hykolli i kundërpërgjigjet akuzave të sindikatës së KEK-ut: Mos u merrni me neve
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, u është kundërpërgjigjur akuzave të Sindikatës së Re të KEK-ut, e cila e kritikoi për mungesë reagimi ndaj çështjeve që lidhen me të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve. Hykolli tha se kjo sindikatë, në vend se të merret me BSPK-në, duhet të angazhohet më…
Lajme
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, u është kundërpërgjigjur akuzave të Sindikatës së Re të KEK-ut, e cila e kritikoi për mungesë reagimi ndaj çështjeve që lidhen me të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve.
Hykolli tha se kjo sindikatë, në vend se të merret me BSPK-në, duhet të angazhohet më shumë për interesat e punëtorëve, duke theksuar se ajo nuk është pjesë e BSPK-së.
“Sa i përket akuzave të Sindikatës së Re të KEK-ut, nuk kam ndonjë informacion, përndryshe ata është mirë të punojnë më shumë në të mirë të punëtorëve, për arsye se ata nuk janë pjesë e BSPK-së. Ata do të punojnë shumë që të vijnë edhe të bëhen pjesë e BSPK-së. Siç e dini edhe ju, ata janë të përjashtuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës edhe nuk kanë nevojë me u marrë me BSPK-në. Unë jam në kontakt të përhershëm me Sindikatën e Elektro-Ekonomisë të Kosovës ku kemi qenë edhe jemi prezentë tek punëtorët e Trepçës, i kemi vizituar të gjithë dhe para disa ditëve unë kam treguar për rrezikun të punëtorëve. Jam non-stop në komunikim të drejtpërdrejtë me partnerët socialë, që ne sa më parë të jemi, krah punëtorëve”, ka thënë Hykolli.
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka shpallur “heronj të punës” katër kolegët e tyre që humbën jetën në vendin e punës – Migjen Sadikun, Milazim Binakun, Haxhi Gojnovcin dhe Arbenit Ahmetin.
Fotot e tyre, në një aksion simbolik janë vendosur, të martën, para zyrave të selisë së KEK-ut, në Prishtinë.
Nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, tha se krahas aksionit para KEK-ut, sindikata do të zhvillojë edhe një aksion simbolik, të mërkurën, para Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) teksa kritikoi udhëheqjen e kësaj të fundit se nuk ka reaguar sa duhet për çështjet që lidhen me të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve.