Hyjnë në fuqi tarifat e reja të Trumpit ndaj dhjetëra vendeve të botës
Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndaj dhjetëra vendeve në mbarë botën, kanë hyrë në fuqi të mërkurën pas mesnatës. Pak pas mesnatës, përmes platformës së tij Truth Social, Trump shkroi: “ËSHTË MESNATË!!! MILIARDA DOLLARË NË TARIFFA PO RRJEDHIN TANI NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS!” Shtëpia e Bardhë…

Bota
Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndaj dhjetëra vendeve në mbarë botën, kanë hyrë në fuqi të mërkurën pas mesnatës.
Pak pas mesnatës, përmes platformës së tij Truth Social, Trump shkroi: “ËSHTË MESNATË!!! MILIARDA DOLLARË NË TARIFFA PO RRJEDHIN TANI NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS!”
Shtëpia e Bardhë tha se duke filluar pak pas mesnatës, mallrat nga më shumë se 60 vende dhe nga Bashkimi Evropian do të përballen me tarifa prej 10 për qind ose më të larta.
Produktet nga Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut do të tatohen me 15 për qind, ndërsa importet nga Tajvani, Vietnami dhe Bangladeshi do të tatohen me 20 për qind.
Për vende si BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut, Trump gjithashtu pret që ato të investojnë qindra miliarda dollarë në SHBA.
“Mendoj se rritja do të jetë e paprecedentë”, tha Trump të mërkurën pasdite.
Ai shtoi se SHBA-ja “po fiton qindra miliarda dollarë nga tarifat”, por dha ndonjë shifër të saktë për të ardhurat, duke thënë se “ne madje nuk e dimë ende numrin përfundimtar” në lidhje me normat e tarifave.
Pavarësisht pasigurisë, Shtëpia e Bardhë është e bindur se fillimi i këtyre tarifave gjithëpërfshirëse do të sjellë qartësi për rrugën që do ndjekë ekonomia më e madhe në botë.
Megjithatë, kompani dhe grupe të industrisë paralajmërojnë se tarifat e reja do të dëmtojnë rëndë bizneset e vogla amerikane.
Ekonomistët gjithashtu paralajmërojnë se ato mund të nxisin inflacionin dhe të rëndojnë rritjen ekonomike në një afat më të gjatë.
Vala e fundit e tarifave “reciproke”, të cilat synojnë të adresojnë praktikat tregtare që Uashingtoni i konsideron të padrejta, zgjerojnë masat që Trump ka ndërmarrë që kur është rikthyer në presidencë.
Megjithatë, këto tarifa më të larta nuk zbatohen për importet specifike për sektorë të caktuar që janë objekt më vete, si çeliku, automjetet, barnat dhe çipat elektronikë.
Trump tha të mërkurën se planifikon një tarifë prej 100% për gjysmëpërçuesit – megjithëse Taipei deklaroi se gjiganti i prodhimit të çipave, TSMC, do të përjashtohet nga tarifat , pasi ka fabrika në SHBA.