Huqja e madhe e UNDP-së, kosovarët mese të kënaqur me shërbimet shëndetësore

Është kritikuar ashpër raporti i fundvitit të kaluar i UNDP-së, për kënaqshmërinë e pacientëve për shërbimet shëndetësore, në QKUK. Rezultatet e hulumtimit se 70% e pacientëve janë të kënaqur me ato shërbime, konsiderohen absurde, të fryra dhe që nuk përkojnë me realitetin, raporton KTV. 

Lajme

11/05/2014 20:27

Pavarësisht gjendjes në repartet e QKUK-së, ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, po i përdor pikërisht këto statistika për ta paraqitur pozitive gjendjen në këtë sektor. 

Rezultatet e dala nga hulumtimi i disa muajve më parë, i financuar nga UNDP, por i realizuar nga Index Kosova, mbi sistemin shëndetësor po kontestohet nga njohësit e kësaj fushe. 

Hulumtimi me temë, “Kënaqshmëria dhe shërbimet shëndetësore dhe perceptimet mbi praninë e korrupsionit”, ka nxjerrë se 70% e pacientëve janë të kënaqur me shërbimet që ofrohen në QKUK. 

Ish hulumtuesi i projekteve të ndryshme në UNDP, Armend Muja, dyshon nga statistikat e nxjerra nga një hulumtim i tillë, pasi sipas tij gjendja në institucionet shëndetësore nuk përkon me atë nivel të knaqshmërisë. 

“Kjo është një përpjekje për ta bërë një hulumtim te pacientët. Unë besoj se do të ishte e udhës që të ofrohen disa të dhëna tjera në metodologji që do ta pasuronin probalitetin e punimit. Për shembull, se si është përzgjedhur mostra, cili ka qenë bazamenti i përzgjedhjes. Sepse këtu përfshihen në një vend si shërbimi privat ashtu edhe ai publik shëndetësor”. 

Edhe gazetari i të përditshmes Zëri, Alban Selimi, i cili përcjellë prej 10 vitesh këtë sektor, është mosbesues ndaj të gjeturave të këtij raporti. Sipas tij, sikur të qëndronte kjo, pacientët nuk do të kërkonin shërim jashtë vendit.