Hungaria “blindon” kufirin me Serbinë, shkak emigrantët ilegalë
Hungaria do të ndërtojë murin e gjatë 4 metra në kufirin me Serbinë, për të parandaluar hyrjen e emigrantëve, ka njoftuar Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë Peter Sijarto.
Bota
“Emigrimi ilegal është njëri nga problemet kryesore me të cilin po përballet Bashkimi Evropian sot”, ka thënë Sijarto në një konferencë për shtyp.
Sijarto ka shpjeguar që vendet e BE-së po bëjnë përpjekje për ta zgjidhur situatën, por që Hungaria nuk po mund të pres më, shkruan Reuters, transmeton lajmi.net
“Po flasim për kufirin 175 kilometërsh, i cili do të mund të mbyllet fizikisht me një mur të gjatë 4 metra, dhe Ministri i Punëve të Brendshme ka marrë instruksionet e nevojshme për ta përgatitur planin”, ka shtuar Sijarto.
Përgatitjet do të duhej të përfundonin deri të mërkurën e ardhshme, ka shpjeguar Sijarto.
Sijarto është i mendimit që ky hap nuk është në kundërshtim me përgjegjësitë ndërkombëtare, as nuk e shkel ndonjë marrëveshje ndërkombëtare.
Ndërkaq, në mbledhjen e Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian është thënë që Hungaria është shteti më i goditur nga emigrantët ilegal, ka shtuar ai.
Përndryshe Hungaria para 5 ditësh kishte paralajmëruar se do të mund ta mbyllë kufirin me Serbinë, për të parandaluar hyrjen e emigrantëve ilegal.