Humbjen merreni me buzëqeshje

Fatmir Limaj kërkoi nga qytetarët e Drenasit që pakënaqësitë e akumuluara me vite t’i zbarazin më 3 nëntor, në kutitë e votimit. E Jakup Krasniqi tha se në Drenas kanë sunduar bodyguardët e shoferët e të gjithëpushtetshmëve.

Lajme

31/10/2013 20:09

Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj janë bërë bashkë, në mbështetje të Iniciativës Qytetare të Drenasit, e cila i ka dalë përballë Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Të dy u kanë bërë thirrje qytetarëve të Drenasit të votojnë për ndryshimin e madh në këtë Komunë, në të cilën, sipas tyre, është qeverisur keq në vitet e fundit.

Të bindur në fitore dhe nën tingujt e këngës “Marshi i UÇK’së”, Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Deputeti Fatmir Limaj kanë përmbyllur zyrtarisht fushatën zgjedhore në Drenas.

Deputeti Limaj u bëri thirrje qytetarëve të kësaj Komune që ta mbështesin Izet Ibrahimin dhe Jakup Krasniqin, me votën e tyre.

“Nuk kam ardhur këtu që t`i tregoj Drenasit kush është Izet Ibrahimi, sepse Drenasi e njeh mirë atë. Ajo çka duhet sot të bëjmë ne të gjithë bashkë, është që t`i tregojmë Kosovës se Drenasi ka vendosur për ndryshimin e madh”.

“Vula e zhvillimit, vula e ndryshimit, vula e prosperitetit kombëtar nuk i takon asnjë individi. Veç një familje e ka atë vulë, e ajo është Familja Jashari. Askush tjetër”.

“Të gjithë ata që duan të punojnë për ato vlera të mëdha nuk duhet të kujtohen një herë në katër vjet kur të vijnë Drenas, por duhet të punojnë çdo ditë për ato vlera dhe ato parime”.

“Mjeri ai i mjeri që mendon se partia e bën të madh njeriun e jo vepra e puna e tij”.

“Vepra e njerëzve, puna e njerëzve, mbështetja e popullit e bën të madhe një parti dhe jo partia njerëzit”.

Limaj tha se Drenasi është sot para një momenti të rëndësishëm demokratik.

“Ne e dimë që qytetarët e Drenasit janë shumë të pakënaqur me qeverisjen e viteve të fundit. Unë e kam një apel për të gjithë qytetarët e Drenasit – burra, pleq e djem të rinj, gra e vajza, ju them se ka ardhur koha që pakënaqësitë tuaja, të cilat i keni shfaqur, qoftë në familje, qoftë në restorante, qoftë në shkolla, tani e keni rastin që krejt ato pakënaqësi, që janë grumbulluar për vite të tëra, t`i zbrazni më 3 nëntor në kutinë e votimit”.

“Kushdo që ka menduar se Drenasi është një rezervuar i votave dhe shkojnë një herë në katër vjet dhe ia mbledhin, tani ka ardhur momenti që ne t`i tregojmë se nuk është Drenasi i tillë. Për ta fituar votën e Drenasit, duhet ta meritoni votën e qytetarëve të Drenasit”.

“Jam i bindur se Drenasi do të dërgojë mesazhin e duhur”.

Limaj ftoi qytetarët që më 3 nëntor t’i japin mundësi Drenasit që përfundimisht të udhëheqet nga njerëz të përgjegjshëm, intelektualë të zot, të cilët ai tha se janë të dëshmuar në punë e tyre.

“Ngrihuni më 3 nëntor, ashtu siç keni qenë gjithmonë të qytetëruar, afrohuni tek kutitë e votimit dhe vendosni për të mirën e njohur, dhe e mira e njohur për Drenasin është Izet Ibrahimi”.

“Vota për Izet Ibrahimin është votë për Jakup Krasniqin”.

Jakup Krasniqi, që vjen nga kjo Komunë, tha se Drenasi që gjashtë vjet është qeverisur keq, madje tepër keq, gjë që, sipas tij, vërehet kudo në qytet, në lagjet dhe fshatrat e e tij.

“Askund nuk kemi projekte të përfunduara që do të ishin për lakmi”.

“Pas 3 nëntorit, Drenasi do të ndryshojë për së mbari, do të ndryshojë çdo lagje e Drenasit, çdo fshat i Drenasit”.

“Kudo në Drenas dhe Drenicë ka frikë shumë. Këtu nuk vërehet liria e mendimit, liria e fjalës apo e të shprehurit. Kështu gjatë viteve të lirisë kanë sunduar bodyguardët, shoferët e të gjithëpushtetshmëve, të cilë kanë udhëhequr me metodat e policisë sekrete”.

“Këtu është punuar që të përjetësohet monizmi i djeshëm. Këtu tek secili njeri ekziston frika, për humbjen e vendit të punës dhe pse punë ka pak”.

“Ne i themi pozitës së tashme të Drenasit që humbjen ta marrin me buzëqeshje, sepse kjo është e shëndetshme për demokraci e natyrisht është e shëndetshme edhe për vetë ata”.

Krasniqi tha më tutje se kanë mjaftuar këtu gjashtë vjetët e qeverisjes së keqe që Drenasi e Drencia ta humbin namin e mirë të cilin e kanë pasur kudo në hapësirat kombëtare.

“Edhe Drenica, edhe Drenasi e meritojnë pluralizmin politik. Iniciativa Qytetare për Drenasin do ta kthejë këtë”.

“Këto ndryshime sot në Drenas do t`i sjellë Kryetari i ardhshëm i tij, Izet Ibrahimi, do t’i sjellë Iniciativa Qytetare për Drenasin”.

“Ndryshimet nuk mund t`i sjellin ata që përhapën mjerimin, frikën, pasigurinë, keqqeverisjen dhe paditurinë. Ata e patën rastin të tregohen por e humbën atë mundësi, të cilën e morën me bujari nga ju qytetarë të nderuar”.

Kandidati i Iniciativës Qytetare për Kryetar të Komunës, Izet Ibrahimi, u shpreh i bindur në fitoren e tij.

“Drenasi po na pret për t`i hapur rrugën e së ardhmes”.

“Vota dhe besimi i juaj do ta mundësojë këtë”.

“Vizioni ynë është Drenasi i së ardhmes. Ne do t`i sigurojmë rend, siguri e transparencë”.