Humb jetën këmbësori
Një person ka humbur jetën në një aksident trafiku në afërsi të fshatit Prelez të Ferizajt.

Lajme
Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së shtunës, me ç’rast nga lëndimet e marra ka pësuar këmbësori, F.L. 51 vjeç, nga Prelezi i Muhaxherëve.
Zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi, ka thënë se viktima është goditur nga një veturë e cila po qarkullonte nga Prishtina në drejtim të Ferizajt, të cilën po e drejtonte, Z.E. 52 vjeç, shtetas i Kosovës.
“Sipas hetimeve, deri te aksidenti ka ardhur kur viktima ka tentuar ta kalon rrugën dhe në momentin kritik goditet nga automjeti i udhëtarëve. Viktima është dërguar në Qendrën Emergjente, ku nga ana e mjekut kujdestar është konstatuar se ai ka ndërruar jetë nga lëndimet”, ka thënë Gashi.
Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes, pos njësive policore, ka dal edhe Prokurori kujdestar i Prokurorisë në Ferizaj , i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa ngasësit të veturës, i ka shqiptuar masën e ndalimit policor prej 48 orëve, raporton KosovaPress.