HRW: Gazetarët vazhduan të jenë subjekt i kërcënimeve dhe pengesave në kryerjen e punës, mbrojtje e dobët për ta

Organizata ndërkombëtare joqeveritare “Human Rights Watch”, në raportin për Kosovën për vitin 2025, vë në pah se sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave vazhduan. Në raport thuhet se gazetarët iu nënshtruan kërcënimeve dhe u penguan në punën e tyre, duke qenë cak i sulmeve dhe ngacmimeve. Raporti citon se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) regjistroi…

Lajme

05/02/2026 15:53

Organizata ndërkombëtare joqeveritare “Human Rights Watch”, në raportin për Kosovën për vitin 2025, vë në pah se sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave vazhduan. Në raport thuhet se gazetarët iu nënshtruan kërcënimeve dhe u penguan në punën e tyre, duke qenë cak i sulmeve dhe ngacmimeve.

Raporti citon se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) regjistroi 54 incidente kundër gazetarëve në periudhën janar-shtator 2025. Aty përfshihen sulmi fizik, kërcënimet me vdekje dhe 15 raste të ngacmimeve, gjuhës së urrejtjes ose fushata të shpifjes, kryesisht nga figura politike, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Më tej, theksohet se Reporterët pa Kufij e renditën Kosovën në vendin e 99-të nga 180 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025. Pra, 24 vende më poshtë sesa vitin paraprak, duke e bërë kështu vendin me renditjen më të ulët në zonën BE- Ballkan Perëndimor.

Po ashtu, HRW potencon se RSF vuri në dukje ndërhyrje politike në rritje, fushata shpifjesh, qasje të kufizuar në informacion, rregullim abuziv dhe mbrojtje të dobët për gazetarët.

Po ashtu, në raport thuhet se në shkurt 2025, sigurimi i kryeministrit Albin Kurti pengoi fizikisht gazetarin e T7, Genc Godanci, derisa ai përpiqej ta pyeste Kurtin në lidhje me Indeksin e Lirisë së Medias të RSF-së.

Lidhur me këtë raport, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke thënë se HRW në raportin për të drejtat e njeriut, ka vënë në pah mbrojtjen e dobët të gazetarëve dhe fushatat shpifëse ndaj tyre.

Reagimi i plotë i AGK-së:

Human Rights Watch: Mbrojtje e dobët për gazetarët në Kosovë

Organizata Human Rights Watch ka vënë në pah fushatat shpifëse dhe mbrojtjen e dobët ndaj gazetarëve në raportin vjetor për të drejtat e njeriut.

Në pjesën e mediave, HRW përmend incidentet e regjistuara nga AGK-ja, renditjen në vendin e 99 të Kosovës në raportin e Reporterëve pa Kufij, dhe veçon incidentin kur gazetari i T7, Genc Godanci u pengua fizikisht nga mbrojtja e afërt e kryeministrit, Albin Kurti.

Tektsi i plotë për mediat në raport:

Liria e Medias

Gazetarët vazhduan të jenë subjekt i kërcënimeve dhe pengesave në kryerjen e punës së tyre. Midis janarit dhe shtatorit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 54 incidente ndaj gazetarëve, përfshirë një sulm fizik, një kërcënim me vdekje dhe 15 raste të ngacmimit, gjuhës së urrejtjes ose fushatave shpifëse, kryesisht nga figura politike.

Reporterët pa Kufij (RSF) e renditi Kosovën të 99-tën nga 180 shtete në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025, një rënie prej 24 vendesh krahasuar me vitin e kaluar, duke e bërë atë renditjen më të ulët në rajonin e BE – Ballkan Perëndimor.

RSF vuri në dukje rritjen e ndërhyrjes politike, fushatat shpifëse, qasjen e kufizuar në informacion, rregullimin abuziv dhe mbrojtjen e dobët për gazetarët.

Në shkurt, sigurimi i Kryeministrit Albin Kurti e pengoi fizikisht gazetarin e T7, Genc Godanci, teksa ai tentoi ta pyeste atë për Indeksin e Lirisë së Medias të RSF-së“.

Gjatë zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025 në Kosovë, HRW thotë se partitë politike përdorën shpesh retorikë diskriminuese dhe denigruese për personat lezbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT) dhe kryesisht injoruan çështjet që i shqetësonin ata.

Në raport thuhet se zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025, çuan në një bllokim disamujor në parlament. Atu thuhet se raporti i Komisionit Evropian ngriti shqetësime në lidhje me ndikimin e paligjshëm politik mbi gjyqësorin dhe vuri në dukje se peizazhi mediatik vazhdon të përballet me sfida në lidhje me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare.