Hoxhallarët – të pamjaftueshëm e jo-kompetent për deradikalizim, kush duhet të ligjërojë në burgje?

Në maj të vitit të kaluar është nënshkruar memorandum bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të vendit dhe Bashkësisë Islame të Kosovës për ligjërimin në burgjet e Kosovës kundër radikalizmit.

Lajme

22/06/2019 20:58

Ky projekt erdhi si pasojë e shfaqjes së radikalizmit dhe fundamentalizmit religjioz në Kosovë – gjë që rezultoi me shkuarjen në Siri të mbi 300 kosovarëve, kryesisht të rinj, shkruan lajmi.net.

Organet e sigurisë filluan hetimet dhe pas kësaj u arrestuan 12 imamë të cilët u intervistuan u mbajtën dhe më pas u liruan. Gjuha fundamentale dhe indoktrinuese erdhi edhe nga shpërndarja e materialeve të ndryshme me përmbajtje të tillë nëpër rrjetet sociale dhe mjete të komunikimit online – pa asnjë kontrollë e pa asnjë autorizim.

Projekti i ligjërimit të hoxhallarëve në burgje, filloi dobët implementimin, pothuajse një vit pas nënshkrimit të memorandumit në të cilin u përcaktuan nga BIK-u 20 imamë për të mbajtur ligjërata fetare në burgjet e Kosovës në përpjekje për radikalizim, në mars të këtij viti, kryemami i BIK-ut, Sabri Bajgora tha se këto ligjërata mbahen në vetëm 4 burgje, atë të Dubravës, Dyzit dhe në burgun e Lipjanit – tek meshkujt dhe tek femrat.

Lexo edhe: Vetëm në katër burgje ligjërojnë imamët e BIK-ut

Mirëpo, tani kur ka kaluar një vit e më shumë nga fillimi i kësaj strategjie shtetërore, hoxhallarët po shihen si të pamjaftueshëm e jo-kompetent për të implementuar këtë projekt pa ndihmën e askujt.

Imami Emin Behrami: BIK-u ka zgjedhur njerëz jo-profesional për këtë projekt, duhet të përfshihen sociologë e psikologë:

Imami tashmë në pension Emin Behrami për lajmi.net është shprehur se BIK-u ka përcaktuar njerëz jo-kompetent dhe të papërgatitur për implementimin e këtij projekti. Ai ka shtuar se në këtë projekt duhet të formohen ekipe të veçanta edhe nga Bashkësia Islame – ku do të përfshiheshin psikologë e sociologë.

Unë parimisht kam vërejtje që së paku individët që janë përcaktuar nga BIK-u, shumica absolute e tyre nuk janë kompetent për shqyrtimin e materieve të tilla para njerëzve të cilët duhet të kenë trajtim të veçantë. Mendoj që BIK-u ka caktuar njerëz që janë me preferencë, por jo që kanë përgatitje profesionale përkatëse. Nga aspekti profesional një numër i madh i njerëzve që paraqiten në emër të Bashkësisë Islame nëpër burgje nuk janë profesionalisht të përgatitur, prandaj do të ishte mirë sipas mendimit tim në këtë çështje të formohen ekipe të veçanta, edhe nga njerëz të Bashkësisë Islame, edhe nga sociologë e psikologë, në mënyrë që të trajtohen nga të gjitha aspektet, edhe me kompetencë shkencore dhe jo nën ndikimin e rrethanave dhe të trajtohen nga aspekte të ndryshme, në mënyrë njerëzore dhe t’i ofrohet ndihma. Nëse bën punë, mirë, nëse nuk bën punë atëherë të shikohen mundësi. Por, jo që me ta të kenë kontakt, fillimisht njerëz ata që janë nga BIK-u, një numër i madh prej tyre janë ish-nxënës e studentë të mi dhe nuk i shoh që janë përkatës për një mision të tillë”, tha Imami Behrami për lajmi.net.

Arbana Xharra: BIK-u ka vënë në krye të xhamive imamë të dyshuar, jam kundër ligjërimit të tyre kudo dhe jo vetëm në burgje.

Gazetarja Arbana Xharra për lajmi.net tha se BIK-u ka vënë në krye të xhamive imamë të dyshuar dhe projekti është pezulluar pikërisht për shkak të këtyre dyshimeve. Ajo është shprehur se ka ndikuar pikërisht gjuha e këtyre imamëve që 300 të rinj t’i bashkohen Shtetit Islamik, duke shtuar se është kundër ligjërimit të këtyre imamëve kudo dhe jo vetëm në burgje.

Në Kosovë është iniciuar një ide e tillë dhe pas përcaktimit se kush do jenë imamët që do të ligjërojnë është pezulluar si projekt, pikërisht për shkak të dyshimeve për këta imamë. Meqë BIK-u i cakton se kush duhet të ligjërojë nëpër burgje, unë mendoj se kjo nuk duhet lejuar në Kosovë. BIK-u ka vënë në krye të xhamive imamë të dyshuar, ndërkohë që ata pak imamë tolerant që ka Kosova i ka penguar që të shprehen në media. Si projekt ndonëse i iniciuar edhe nga të huajt, konsideroj se duhet të kalojë përmes një procesi shumë të hollësishëm të verifikimit të imamëve. Përndryshe në Kosovë, fatkeqësisht imamët më me ndikim janë ata që kanë ndikuar në mbi 300 të rinj që t’i bashkohen luftërave të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Këta imamë kanë mbështetjen e BIK-ut dhe në secilin projekt ata janë të përfshirë. Kështu që unë jam kundër ligjërimit të këtyre imamëve kudo dhe jo vetëm në burgje. Kosova ka teolog të përgatitur sikurse Xhabir Hamiti dhe disa imamë tolerant që fatkeqësisht nuk iu jepet hapësirë”, tha Xharra për lajmi.net.

Filozofi Ridvan Emini: Ligjërimi është bërë nga njerëz jo-kompetent, duhet të përfshihen sociologë, filozofë e psikologë në strategjinë kombëtare:

Studiuesi i Filozofisë Ridvan Emini për lajmi.net është shprehur se në emër të kësaj strategjie kanë ndodhur gjëra të cilat e kanë rritur nivelin e radikalizimit ose e kanë “mirëmbajtur” atë. Sipas Eminit, në këtë projekt duhet të përfshihen sociologë e filozofë në mënyrë që të radikalizuarve t’u ofrohet mendimi kritik.

Në emër të implementimit të strategjisë kombëtare për parandalimin dhe deradikalizimin e personave të radikalizuar kanë ndodhur shumë procese të cilat në njërën anë në shumë raste vetëm sa e kanë rritur nivelin e radikalizimit dhe në anën tjetër te personat e kthyer nga Siria e kanë “mirëmbajtur” atë radikalizëm. Në këtë rast, me ligjërime nga personat jo kompetent, pra hoxhallarët. Ligjërimi që është bërë në Komunat e Kosovës, përkatësisht tek nxënësit është bërë nga njerëz jo-kompetent, pra nga OJQ të cilat kanë marrë donacione në emër të saj ndërsa kanë dërguar ligjërues nëse mund t’i quajmë kështu, krejtësisht jo-kompetent. Zgjidhja më e mirë do të ishte, që të hartohej një strategji më gjithëpërfshirëse ku bëjnë pjesë edhe sociologët e filozofët që të krijohet një kombinim i tillë që do të kishte sukses dhe gjithsesi, këto ligjërata të ishin saktësisht të koordinuara dhe të monitoruara nga njerëz të kualifikuar që ligjërojnë dhe monitorojnë strategjinë.

Nga ana tjetër, unë personalisht e kamë parë si shqetësim të madh dërgimin e hoxhallarëve për ligjërim në burgje. Ata e përfaqësojnë dogmen dhe si të tillë vetëm sa mund të ndihmojn në thellimin në dogmën e të kthyerve nga vatrat e luftës. Konsideroj se atyre është dashur t’u ligjërojnë njerëzit kompetent, pra filozofët e sociologët sepse vetëm nëpërmes tyre mund të ndodh de-radikalizimi, pra këta kanë nevojë për mendim kritik dhe atë vetëm filozofët e sociologët mund t’ua ofrojnë”, tha Emini për lajmi.net.

Sociologët Jeton Brajshori e Halim Emerllahu: Hoxhollarët të pamjaftueshëm në këtë projekt, ligjërimi shkencor duhet të jetë pjesë e këtij projekti:

Sociologu Jeton Brajshori për lajmi.net është shprehur se duhet t’i kushtohet kujdes çështjes se nga ku kanë rrjedhur ideologjitë e tilla dhe kush ligjëron kundër radikalizimit. Sipas tij, punëtorët social dhe ekspertët e trajtimit të traumave të luftës duhet të përfshihen në këtë projekt.

Sa i përket ligjërimit të hoxhallarëve, besoj që departamentet përkatëse që merren me këtë çështje janë të vetëdijshëm që shumica e tyre kanë shkuar për shkak të ideologjive të mbrapshta të disa klerikëve fetarë dhe besoj që tashmë janë të kujdesshëm se kush shkon dhe kush ligjëron aty. Është e drejtë e të kthyerve që të vazhdojnë praktikumin e fesë, njëjtë siç është e drejtë e shtetit që të ketë kujdes në veprimet dhe ligjërimet e hoxhallarëve. Ajo çka është më e rëndësishmja është që fëmijët të mbesin jashtë këtyre ligjëratave dhe sa më shpejt të jetë e mundur të socializohen me moshatarët e tyre dhe të vazhdojnë shkollimin pa stigmatizim.

Kohëve të fundit kemi parë hoxhallarë që janë haptazi kundër këtyre ideologjive të kolegëve të tyre dhe në njëfarë mënyre janë gozhduar nga ata. Këto raste më së miri duhet të trajtohen nga organet përkatëse, organizata që merren me të kthyerit nga traumat nga lufta, psikologët duhet t’i kenë në vëzhgim dhe të punojnë me ta vazhdimisht.

Po ashtu edhe punëtorët social të kyçen dhe shoqëria  t’i pranojë duke i bërë të mendojnë se kanë gabuar dhe meritojnë një shans të dytë. Më e mira mund të arrihet me bashkëpunim në mënyrë që të ndalohet shkuarja ende e të rinjve tanë në lufta të pakuptimta ndërsa këta që kanë shkuar t’iu jepet shanca e dytë dhe të mbahen në kontrollë, kush e çfarë po iu ligjëron, por e rrugës do të ishte që këtë ta bënin njerëzit kompetent që merren me trajtimin e traumave të luftës”, tha Brajshori për lajmi.net.

Sociologu Halim Emerllahu për lajmi.net është shprehur se hoxhallarët nuk janë të mjaftueshëm ngase iu mungojnë teoritë e socializmit nga aspekti socio-psikologjik. Ai gjithashtu ka shtuar se shoqëria jonë duhet të pranojë një religjion liberal, i cili pranon dialogun dhe multikulturalizmin.

Hoxhollarët nuk janë të mjaftueshëm sepse ju mungojnë teoritë e socializmit nga aspekti sociologjik dhe psikologjik – psikologjisë sociale. Këtu duhet të jenë kompetent sociologët me njohje të teorive dhe të faktorëve të socializmit siç janë shkolla, bashkëmoshatarët, mediat dhe në përgjithësi bota e komunikimit masiv. Këto janë faktorët e teorive shkencore të lëndëve shoqërore dhe ku mund të diskutohet për religjionin si faktor i socializmit në përcjellje të identitetit individual.

Sot jemi në kohën e teknologjisë dhe kemi lëvizje shoqërore që janë me orientime të ndryshme, me gjuhë komunikuese të ndryshme, prezenca e identitetit fetar është në lëvizje dhe në ngritje të këtij identiteti dhe ideologjie. Dialogjet fetare janë të domosdoshme në rregullimin e raporteve fetare në mes komuniteteve fetare. Ne sot jetojmë në kohë të globalizimit dhe ky është një proces i domosdoshëm, tanimë është bërë i imponueshëm. Ne si shoqëri e hapur, me teknologji, nuk duhet të lejojmë të ketë klerë me gjuhë të epokës tradicionale, qoftë islame, katolike, protestante apo ortodokse. Ne jemi për gjuhë të komunikimit dhe socializmit që të ulet gjuha e fundamentalizmit dhe pasfundamentalizimit fetar sepse kjo u krijon mundësi sekteve si vehabizmi e salafizmi, po ashtu edhe nga feja krishtere si sekte fetare geminacione dhe enklesia ta sjellin gjuhën tradicionale të praktikimit. Unë jam për një religjion të teorisë liberale që pranon dialogun dhe multikulturalizmin. E këtu, gjuha e shkencës shoqërore, sociologjisë islame e të religjioneve tjera që duhet të ligjërohet në vendet publike”, tha Emerllahu për lajmi.net.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami: Të hetohen thellësisht të gjithë imamët që përfshihen në këtë projekt, përndryshe kjo mund të jetë e rrezikshme. Të përfshihen sociologët dhe psikologët.

Eksperti dhe profesori i shkencave të sigurisë, i specializuar në ideologjitë ekstreme, Avni Islami për lajmi.net është shprehur se duhet t’u bëhet një lloj vetingu të gjithë hoxhallarëve që do të ligjërojnë nëpër burgje në këtë projekt, përndryshe mund të jetë e rrezikshme. Sipas tij, hoxhallarët, sociologët dhe psikologët në një ekipë të përbashkët, me kurrikula të njëjta dhe të monitoruar mund të ndikonin pozitivisht.

“Problemi tek ligjërimet që do të duhej të bëheshin nëpër burgjet e Kosovës është një tendencë e mirë, një veprim që duhet të mirret, por është tepër e rëndësishme se kush duhet të shkojë në burgje dhe kush duhet t’iu ligjërojë sepse që nga përfundimi i luftës e këndej edhe brenda strukturave të BIK-ut kanë depërtuar rryma që kanë ndikuar në bindjet e qytetarëve. Pra, kësisoj, kemi imamë të cilët janë hetuar dhe përmes shkrimeve, portale, mjeteve të shkruara, Facebookut e të tjera i kanë përkrahur grupet radikaliste, në mesin e tyre dyshohet se ka imamë të tillë që do të ligjërojnë nëpër burgje. Absolutisht, organet kompetente nuk duhet t’ua lënë në dorë krerëve të Bashkësisë Islame të bëjnë listimin e atyre që do të ligjërojnë sepse kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Mendoj se imamët të cilët duhet të shkojnë, që të ligjërojnë ta bën përzgjedhjen Ministria e Punëve të Brendshme ose Ministria e Drejtësisë, të verifikohen, t’iu bëhet njëfarë lloj vetingu, dhe të analizohet për secilin veç e veç dosja e tij. Unë kam parë përmes mediave disa imamë të cilët janë të fryrë nga radikalizmi dhe çfarë pritet nga ta? Ata do të prodhojnë efekt negativ tek ata persona. Kësisoj mendoj unë profesor i shkencave të sigurisë dhe besoj që edhe kolegët e mi e shoqëria civile, duhet të kërkohet nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës që t’u bëhet një lloj vetingu, secilit veç e veç dhe të gjithë imamët t’u jepet materiali dhe të bëhet një lloj kurrikule në mënyrë që të dihet se çfarë do të ligjërohet për ata që qoftë kanë qenë në vatrat e luftës qoftë për të radikalizuarit, pra një program të veçantë dhe jo kushdo që ligjëroj çfarë të dojë.

Mendoj se sociologë, psikologë dhe imamë të specializuar në teologji janë 3 kategori që do të duhej të mbanin këto ligjërata dhe besoj që do të ndikonin pozitivisht tek ata që qoftë në forma të ndryshme kanë marrur pjesë në luftërat e huaja  – qoftë edhe ata të cilët kanë qenë të indoktrinuar nga persona të ndryshëm, qoftë imamë të radikalizuar qoftë nga njerëz të ndryshëm që kanë ligjëruar pa asnjë autorizim”, tha Islami për lajmi.net.

Para disa javësh, në Kosovë janë kthyer një pjesë e kosovarëve nga zonat e luftës në Siri dhe në Irak, një pjesë e tyre kanë qenë në proceset e hetimit ndërsa për një pjesë tjetër kanë filluar procedurat hetimore.

Dënimi me burg në Kosovë për përfshirje në grupe të organizuara terroriste dhe shërbimin në luftë jashtë vendit është 3 deri në 15 vite.

Ndërkohë, është edhe një numër prej rreth 70 personave – kryesisht burra të cilët ende qëndrojnë në zonat e luftës në Siri dhe në Irak derisa institucionet e Kosovës po punojnë në kthimin e tyre në Kosovë.

Të gjithë të kthyerit, përpos fëmijëve do t’u nënshtrohen hetimeve për të gjetur arsyet e shkuarjes së tyre në Siri dhe Irak dhe organet e drejtësisë do të vendosin për ta. /Nehat Sadiku/ Lajmi.net/