Hoxhaj për Samitin në Ankara: NATO ftoi 10 vende joanëtare, Kosova humbi një mundësi diplomatike
Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj, ka reaguar për mosftesën e Kosovës në Samitin e NATO-s që mbahet javën e ardhshme në Ankara, duke e cilësuar pjesëmarrjen në këtë takim si prioritet të politikës së jashtme të vendit. Sipas Hoxhajt, në një kohë kur mjedisi ndërkombëtar po bëhet gjithnjë e më i pasigurt, prania e Kosovës në samite…
Lajme
Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj, ka reaguar për mosftesën e Kosovës në Samitin e NATO-s që mbahet javën e ardhshme në Ankara, duke e cilësuar pjesëmarrjen në këtë takim si prioritet të politikës së jashtme të vendit.
Sipas Hoxhajt, në një kohë kur mjedisi ndërkombëtar po bëhet gjithnjë e më i pasigurt, prania e Kosovës në samite të tilla është me rëndësi strategjike.
“Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, ftesa më e rëndësishme për Kosovën do të ishte pjesëmarrja në Samitin e NATO-s që mbahet javën e ardhshme në Ankara. Deri më sot, Kosova nuk u ftua”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai thekson se në samit janë ftuar dhjetë shtete që nuk janë anëtare të NATO-s dhe që, sipas tij, nuk kanë partneritet formal me Aleancën, nuk janë pjesë e programit Partneriteti për Paqe dhe nuk ndodhen në proces anëtarësimi.
“Kjo dëshmon se, kur ekziston vullneti politik, ka mënyra të ndryshme për të përfshirë partnerë të rëndësishëm, qoftë me ftesë të vendit nikoqir, të vetë Aleancës, të një shteti anëtar, apo edhe në aktivitetet dhe takimet përcjellëse të samitit”, është shprehur ai.
Hoxhaj vlerëson se Kosova ka dëshmuar partneritet me NATO-n dhe se pjesëmarrja në samite të tilla duhet të jetë objektiv i vazhdueshëm i diplomacisë kosovare.
“Kosova është një partner i dëshmuar i NATO-s, me kontribut në sigurinë rajonale dhe me orientim të qartë euroatlantik. Pikërisht për këtë arsye, prania e Kosovës në samite të tilla duhet të jetë synim i vazhdueshëm i politikës së jashtme”, ka deklaruar ai.
Në fund, Hoxhaj ka theksuar se diplomacia nuk matet vetëm me deklarata, por me praninë në forumet ku merren vendimet.
“Diplomacia matet me praninë në tavolinat ku merren vendimet. Kur mungon në ato tavolina, mungon edhe mundësia për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të shtetit”, ka përfunduar Hoxhaj.