Hoxhaj ngre shqetësime për drejtimin e Kosovës: Raportet me SHBA-në dhe demokracia në fokus

Ish-kryediplomati dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka shprehur shqetësime lidhur me drejtimin që mund të marrë Kosova pas zgjedhjeve, duke theksuar veçanërisht raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjendjen e demokracisë në vend. Në një video të publikuar në Facebook, Hoxhaj tha se gjatë procesit të numërimit të votave po dalin në…

Lajme

11/06/2026 11:47

Ish-kryediplomati dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka shprehur shqetësime lidhur me drejtimin që mund të marrë Kosova pas zgjedhjeve, duke theksuar veçanërisht raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjendjen e demokracisë në vend.

Në një video të publikuar në Facebook, Hoxhaj tha se gjatë procesit të numërimit të votave po dalin në pah, sipas tij, dy çështje kyçe që tregojnë orientimin e ardhshëm politik dhe institucional të Kosovës.

Ai u ndal veçanërisht te projekti i gazit amerikan, të cilin e cilësoi si një iniciativë strategjike me rëndësi të madhe për Kosovën dhe rajonin.

“Një projekt i tillë do ta ridefinojë rolin e Amerikës në Ballkan dhe marrëdhënien e saj me Kosovën. Ky raport duket që është në krizë sepse Qeveria e Kosovës veçse e ka refuzuar një projekt të tillë”, deklaroi Hoxhaj.

Sipas tij, ky projekt ka rëndësi edhe më të madhe sesa objektiva të tjera strategjike të vendit.

“Ky projekt ka më shumë përparësi sesa vetë anëtarësimi i Kosovës në NATO apo promovimi i demokracisë, dhe ne mund të arrijmë deri te NATO pikërisht përmes një projekti të tillë”, u shpreh ai.

Hoxhaj ngriti shqetësime edhe për gjendjen e demokracisë, duke përmendur zhvillimet në Komisionin e Pavarur të Mediave, të cilin e lidhi me presionin ndaj mediave të pavarura.

“Çështja e debatit publik në Komisionin e Pavarur të Mediave, ku mediat e pavarura po kërcënohen nga ky komision, tregon për nivelin e demokracisë”, tha ai.

Në fund, Hoxhaj u bëri thirrje partive opozitare dhe deputetëve të ardhshëm që të mbajnë qëndrim të qartë në mbrojtje të demokracisë dhe aleancave strategjike të Kosovës me SHBA-në, Evropën dhe Perëndimin. /Lajmi.net/