Hoxhaj nga Reçaku kërkon drejtësi: Obligim dhe përgjegjësi për të ardhmen e Kosovës

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, ish-ministri Enver Hoxhaj ka realizuar sot një video-mesazh nga Reçaku, vendi ku 27 vjet më parë u shënua një nga krimet më të rënda të kryera ndaj civilëve shqiptarë dhe ku u ndryshua rrjedha e historisë së Kosovës. Duke kujtuar masakrën e Reçakut, Hoxhaj theksoi se aty u vranë…

Lajme

15/01/2026 10:09

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, ish-ministri Enver Hoxhaj ka realizuar sot një video-mesazh nga Reçaku, vendi ku 27 vjet më parë u shënua një nga krimet më të rënda të kryera ndaj civilëve shqiptarë dhe ku u ndryshua rrjedha e historisë së Kosovës.

Duke kujtuar masakrën e Reçakut, Hoxhaj theksoi se aty u vranë burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm, njerëz pa armë, por me emra, familje dhe jetë.
“Sot, jam në Reçak. Në vendin ku para 27 vjetësh, u ndryshua historia e Kosovës. Këtu u masakruan burra, gra e fëmijë. Njerëz që nuk kishin armë, por kishin emra, familje dhe jetë,” deklaroi Hoxhaj.
Ai nënvizoi se Reçaku ishte momenti kur bota pa qartë të vërtetën për Kosovën dhe krimet e kryera ndaj popullit të saj.
“Reçaku ia tregoi botës të vërtetën e Kosovës,” u shpreh Hoxhaj.
Sipas tij, përkujtimi i kësaj ngjarjeje nuk është vetëm kujtesë historike, por obligim moral dhe politik për të sotmen dhe të ardhmen.
“Kjo ditë na obligon. Të mos harrojmë. Të mos heshtim,” tha ai.
Hoxhaj theksoi se e vërteta për Reçakun nuk i përket së kaluarës, por mbetet një çështje e hapur drejtësie dhe përgjegjësie shtetërore.
“E vërteta për Reçakun nuk është e shkuar. Është drejtësi e papërfunduar. Dhe është përgjegjësi për të ardhmen e Kosovës,” përfundoi Hoxhaj.