Hoxhaj: Në PDK s’kemi diskutuar nëse do të hynë në Qeveri, mbesim në opozitë

Anëtari i kryesisë së PDK-së, deputeti Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Parti Demokratike e Kosovës ka qëndrimin që e kishte pas para disa muajve që mbesim në opozitë dhe deritash në organet drejtuese të partisë nuk është diskutuar nëse do të duhej të hynë në qeveri.

Lajme

18/07/2020 14:53

Hoxhaj në një konferencë për media foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke thënë se deputetët e Kuvendit kanë vend për formimin e një qeverie të re.

“Ne si Parti Demokratike e Kosovës e kemi qëndrimin që e kemi pas para disa muaj që ne mbesim në opozitë dhe deri më tash në organet drejtuese të partisë, as kryetari i partisë, as kryesia dhe as grupi parlamentar nuk kanë diskutuar për temën se a do të duhej të hymë në qeveri….. me mbesim te qëndrimi jonë që PDK mbetet në opozitë. Ndërsa, tek tema e zgjedhjeve të parakohshme, mendoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë dhënë fjalën e tyre kur kanë vendos të formohet një qeveri e re, e cila është brenda Kushtetutës dhe e ka mbështetje ligjore sikurse çdo qeveri tjetër që del nga rezultati zgjedhor”, tha ai.

Kurse, sa i përket tubimit të djeshëm në pikën kufitare në Morinë, ku qindra qytetarë dolën për ta pritur Hashim Thaçi, Hoxhaj tha se ishte reagim i qytetarëve që kanë dal ta presin presidentin e vendit.