Hoxhaj: Me Limajn e Krasniqin vazhdojmë të kemi kontakte të shpeshta
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj është shprehur i lumtur me daljen e PDK-së si subjekti i parë politik në vend pas zgjedhjeve. Ai thotë se PDK po pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese ndërsa ka pohuar se kanë kontakte me të gjitha partitë tjera politike e më së shpeshti me Nismën për Kosovën, për shkak të miqësisë me Limajn e Krasniqin.

Lajme
Duhet ta presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ajo duhet ta jep interpretimin e saj. Ne jemi shumicë dhe shumicës i takon ta formojë qeverinë. Aktualisht në këtë mëngjes presim të ndodhë certifikimi i rezultateve zgjedhore pastaj të presim t’i formojmë institucionet shtetërore të Kosovës.
Kështu u shpreh ministri në detyrë i Ministrisë për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj në emisionin e mëngjesit në RTK, ku tha se fitorja e PDK-së në këto zgjedhje është fituese politike dhe morale.
“PDK është partia më reformuese, e kemi ndryshuar partinë, vetët tona. Kjo filozofi dhe vendosmëri e ndryshimit do të vazhdojë edhe vitet e ardhshme. Ne si subjekt politik, e keni parë gjatë javëve të fundit, jemi shumë të relaksuar, vetëpërmbajtur dhe evropian në sjelljen tonë”.
Hoxhaj ka pranuar se PDK mbanë kontakte me të gjitha partitë politike, e një kontakt të veçantë kanë me Nismën për Kosovën, për shkak të miqësisë që kanë me dy anëtarët kryesorë të kësaj partie Fatmir Limajn e Jakup Krasniqin, si ish-anëtarë të PDK-së dikur.
“Natyrisht që ka kontakte. Ka kanale të ndryshme të komunikimit. Ne si parti politike në situate të tilla, mandatarit tonë, kryeministrit, dhe kryetarit të partisë, ja përcjellim tërë përgjegjësinë për të komunikuar me subjektet tjera politike”.
“Ka kontakte me të gjitha subjektet politike, jo vetëm me Nismën. Me Nismën, zotin Limaj dhe Krasniqi, kemi qenë dhe jemi shokë dhe natyrisht që kemi kontakte më të shpeshta”, tha Hoxhaj në RTK.