Hoxhaj: Kosova sot është më e izoluar se në çdo periudhë të pasluftës

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka kujtuar 16-vjetorin e Opinionit Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e cilësuar atë si një nga fitoret më të mëdha diplomatike të Kosovës, por njëkohësisht ka kritikuar gjendjen aktuale të politikës së jashtme të vendit. Sipas Hoxhajt, 22 korriku i vitit 2010 ishte një pikë kthese për shtetin…

Lajme

22/07/2026 20:34

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka kujtuar 16-vjetorin e Opinionit Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e cilësuar atë si një nga fitoret më të mëdha diplomatike të Kosovës, por njëkohësisht ka kritikuar gjendjen aktuale të politikës së jashtme të vendit.

Sipas Hoxhajt, 22 korriku i vitit 2010 ishte një pikë kthese për shtetin e Kosovës.

“Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vulosi legalitetin e pavarësisë së Kosovës dhe forcoi subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Një fitore e madhe diplomatike që i hapi Kosovës dyert e njohjeve të reja dhe e forcoi pozitën e saj në botë”, ka shkruar ai.

Megjithatë, Hoxhaj vlerëson se kjo trashëgimi është zbehur ndër vite.

“Kosova është më e izoluar se në çdo periudhë të pasluftës. Marrëdhëniet me aleatët tanë strategjikë janë dëmtuar, rruga drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare ka mbetur e bllokuar, ndërsa dialogu me Serbinë është shndërruar nga një proces për normalizim në një proces të përhershëm të menaxhimit të krizave”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Opinioni i GJND-së nuk përbënte fundin e procesit të shtetndërtimit, por bazën mbi të cilën duhej të ndërtohej konsolidimi përfundimtar i shtetit.

Në fund, Hoxhaj ka bërë thirrje për rikthimin e partneritetit të ngushtë me aleatët perëndimorë.

“Fitoret diplomatike nuk ruhen vetvetiu. Ato kërkojnë punë, vizion dhe partneritet të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Vetëm kështu Kosova mund ta rikthejë momentumin e humbur, të fitojë njohje të reja dhe ta përmbyllë me sukses konsolidimin e saj ndërkombëtar”, ka deklaruar Hoxhaj.