Hoxhaj i reagon Rizvanollit: Pavarësia energjetike edhe çështje gjeopolitike, jo vetëm ekonomike
Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj nga PDK-ja reagoi ndaj deklaratës së ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se Qeveria nuk e ka refuzuar gazin amerikan dhe se rezervat e qymyrit i garantojnë Kosovës energji më të lirë. Hoxhaj tha se Qeveria Kurti në vazhdimësi ka refuzuar projekte strategjike në sektorin e…
Lajme
Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj nga PDK-ja reagoi ndaj deklaratës së ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se Qeveria nuk e ka refuzuar gazin amerikan dhe se rezervat e qymyrit i garantojnë Kosovës energji më të lirë.
Hoxhaj tha se Qeveria Kurti në vazhdimësi ka refuzuar projekte strategjike në sektorin e energjisë.
“Me 2019, Qeveria Kurti anuloi projektin e Kosovës me ContourGlobal. Me 2021, refuzoi projektin amerikan të gazit të mbështetur nga SHBA. Sot, po refuzon edhe një mundësi tjetër për t’u kyçur në korridoret e gazit amerikan, duke u rikthyer sërish te i njëjti argument, qymyri”, shkroi Hoxhaj në Facebook.
Sipas tij, pavarësia energjetike nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe strategjike.
“Pavarësia energjetike është një domosdoshmëri ekonomike për zhvillimin e vendit, por edhe domosdoshmëri gjeopolitike për ta mbajtur SHBA-në të angazhuar në Kosovë. Këtë e kanë kuptuar të gjitha vendet e Ballkanit dhe Evropës. Edhe Serbia po lidhet me korridoret e gazit të lëngshëm (LNG), ndërsa Kosova vazhdon të izolohet me vendime të gabuara politike”, tha ai.
Hoxhaj theksoi se Kosovës i duhet një qasje tjetër në vendimmarrje për energjinë.
“Kosovës nuk i duhen arsyetime pse nuk lidhet me gazin amerikan. Kosovës i duhet vizion dhe vendimmarrje strategjike për t’u bërë pjesë e tij”, u shpreh Hoxhaj.
Nga ana tjetër, në një video të postuar mëngjes e së premtes në llogarinë e vet në Facebook, ministrja në detyrë Rizvanolli tha se dëshiron ta sqarojë çështjen e gazit amerikan, duke qenë se Qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti po përballet me kritika dhe trysni pasi është shfaqur e rezervuar për projektin.
Rizvanolli tha se “nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është kundër gazit të lëngëzuar nga SHBA-ja, siç po thuhet”.
Ajo tha se Kosova nuk e ka as përvojën dhe as infrastrukturën për t’u furnizuar me LNG, prandaj çështja e diskutimit të gazit amerikan “është përtej politikave ditore”.
“Si gjithmonë ne do ta trajtojmë edhe këtë çështje me seriozitetin e përgjegjësinë më të lartë bashkë me ekspertët e të gjitha institucionet relevante dhe duke marrë parasysh të gjitha konsideratat ekonomike e politike”, tha ajo.
“Ne kemi zgjedhur thëngjillin, burimet e ripërtërimit të energjisë si era e dielli, kogjenerimin për ngrohje qendrore dhe efiçencën e energjisë. Ky kombinim mbështetet në burime vendore dhe është më i liri për qytetarët e bizneset tona”, tha ajo.
Rizvanolli tha se Qeveria në detyrë e sheh gazin amerikan si burim shtesë, duke e përsëritur gjithashtu se ajo e vlerëson gazifikimi i thëngjillit si mundësi më të mirë se furnizimin me LNG-në amerikane.
Ajo përmend një memorandum bashkëpunimi mes Kosovës e Shqipërisë në vitin 2022, me synim bashkëpunimi në termocentralin e Vlorës me LNG.
“Këtë e kemi konsideruar zgjidhje më të mirë, më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme. Nga analizat që kemi bërë del se mënyra më e shpejtë, e dobishme dhe ekonomikisht e favorshme për inkuadrimin potencial të LNG-së në miksin tonë energjetik është përmes termocentralit në Vlorë”, tha ajo.