Hoxhaj i reagon ashpër Berishës, pas deklaratave se “Thaçi është argat i Serbisë”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj Sali Berishës, një ditë pasi ky i fundit i tha hapur Thaçit se është “argat i Serbisë”.

Lajme

07/05/2019 17:25

Hoxhaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pikëpamjet e tij të kohëve të fundit me frymë përçarëse dhe me ngjyra të errëta janë koncentrat i hipokrizisë dhe po e rrënojnë kontributin e tij dhënë në të kaluarën për Kosovën, përcjell lajmi.net.

“Çdo herë kam pasur konsideratë të lartë për Sali Berishën, si një politikan me të cilin kam bashkëpunuar në pozita të ndryshme që kam mbajtur në Qeverinë e Kosovës. E kam parë si njeri të parimeve, të së vërtetës dhe të virtytit. Mjerisht, pikëpamjet e tij të kohëve të fundit me frymë përçarëse dhe me ngjyra të errëta për t’i bërë akuzat e tij të padrejta dhe sinqeritetin selektiv të duken të vërteta, janë koncentrat i hipokrizisë dhe po e rrënojnë kontributin e tij dhënë në të kaluarën për Kosovën”, ka thënë Hoxhaj.

Për Hoxhajn, Berisha, “fatkeqësisht, debatin e politikës ditore në Shqipëri po përpiqet ta bartë edhe në Kosovë, duke shprehur një mendësi totalitare për ndarjen se kush është tradhtar dhe hero”.

“Përmbyllja e shtet-ndërtimit të Kosovës me njohje të ndërsjellët Kosovë – Serbi dhe me ulëse për Kosovën në OKB është konsolidim i jashtëm edhe i Shqipërisë dhe një faktor i fuqizimit të shqiptarëve në rajon. Për tema të tilla Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për një dialog ndërshqiptar”, ka thënë Hoxhaj.

Ky reagim i Hoxhajt vjen pas deklaratave që Berisha i bëri një natë më parë.

Në studion e RTV Ora, Berisha tha se Thaçi është peng i dosjes së tij në Serbi dhe sipas tij ai nuk duhet të jetë pjesë e asnjë negociate pa shkuar në Gjykatën e Hagës. /Lajmi.net/