Hoxhaj e Mustafa takojnë një diplomat të lartë francez
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, dhe Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kanë pritur sot në takime të ndara Zëvendësdrejtorin për Rajonin Ballkanik në MPJ të Francës, François Pugeaut. Mysafiri nga Parisi rikonfirmoi mbështetjen e Francës për Kosovën.
Lajme
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim François Pugeaut, zëvendësdrejtor për rajonin ballkanik të Evropës në MPJ të Francës, i cili shoqërohej nga ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet.
Ministri Hoxhaj i njoftoi për progresin që po arrihet në Kosovë, fuqizimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane, duke theksuar fokusimin e diplomacisë kosovare në agjendën multilaterale, gjatë këtij viti.
Zëvendësdrejtori për rajonin ballkanik të Evropës në MPJ të Francës, François Pugeaut, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke konfirmuar mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të Kosovës, vazhdimin e reformave si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare.
Ministri Hoxhaj dhe Pugeaut po ashtu vlerësuan lartë marrëdhëniet shumë të mira ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Francës, duke theksuar vullnetin për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë takimit ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e shtetit francez për Kosovën, thuhet në një komunikatë të MPJ-së.
Diplomati francez sot është pritur edhe nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Në këtë takim, Mustafa ka folur për kontributin e veçantë që Franca ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mëkëmbjen e vendit, duke vënë theksin edhe te miqësia e thellë që është ndërtuar në mes dy vendeve që nga koha e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Zëvendësndihmëssekretari François Pugeaut rikonfirmoi vendosmërinë e Francës për ta ndihmuar Kosovën në udhën e forcimit të demokracisë së saj të brendshme, si dhe në procesin e integrimit të saj në institucionet ndërkombëtare.
Kryetari Mustafa prezantoi qëndrimet e LDK-së sa i përket reformës zgjedhore, përkatësisht Ligjit zgjedhor, çështjes së ngritur së fundmi për një tribunal, që do t’i hetonte krimet e supozuara të luftës nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, dialogun me Serbinë etj.
Mustafa foli edhe për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen sivjet.
“Pasi shprehu bindjen se LDK-ja do t’i fitojë këto zgjedhje, Kryetari Mustafa tha se LDK-ja, me votën e lirë të qytetarit të vendit, do ta udhëheqë Qeverinë e Republikës së Kosovës në mandatin e ardhshëm, në mënyrë që t’i përshpejtojë proceset e ngecura të integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike, si dhe ta rikthejë besimin e qytetarëve në institucione, duke ndërtuar një shtet të mirëfilltë të rendit dhe të ligjit”.
“Vizioni i LDK-së është një Kosovë e përparuar, një Kosovë me institucione funksionale dhe të përgjegjshme, të cilat do të punojnë për mirëqenien e qytetarit, si dhe për integrimin sa më të shpejtë të vendit tonë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare”, tha Kryetari Mustafa, duke shprehur bindjen se LDK-ja, ashtu siç i ka nisur, edhe do t’i përmbyllë me sukses këto procese, të cilat kanë rëndësi jetike për Kosovën dhe për qytetarët e saj”, thuhet në komunikatën e LDK-së.