Hoxha nuk lëviz nga KRPP-ja

Shoqëria civile dhe opozita mendojnë se Komisioni Evropian dha rekomandim të njëjtë për liberalizimin e vizave tek OSHP-ja dhe KRPP-ja, duke kërkuar pavarësi operacionale. Përderisa kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha, ka dhënë dorëheqje i pari i KRPP-së, Safet Hoxha, i cili në vitin 2013 ishte emëruar anëtar i Këshillit të Përgjithshëm në PDK, nuk do të lëvizë nga pozita.

Lajme

01/02/2016 08:16

Edhe më tutje institucionet e vendit nuk po i marrin seriozisht rekomandimet e Komisionit Evropian për sigurimin e pavarësisë dhe kredibilitetit të menaxhmenteve që prekin Prokurimin Publik në vendin tonë.

Përderisa në Organin Shqyrtues të Prokurimit ka dhënë dorëheqje kryetari, Hysni Hoxha, në krye të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik vazhdon të jetë Safet Hoxha. Ky i fundit në vitin 2013 ishte emëruar anëtar i Kshillt Drejtues të PDK-së. Përfaqësues nga opozita dhe shoqëria civile mendojnë se Komisioni Evropian tek rekomandimi për liberalizimin e vizave ka vendosur kritere të njëjta edhe për KRPP-në sikurse në rastin e OSHP-së, ku ka kërkuar pavarësi dhe plane të rrepta të integritetit në operimin e këtyre dy trupave që kanë të bëjnë me prokurimet publike.

Gazeta Zëri shkruan se ka pritur disa ditë përgjigje nga kreu i KRPP-së për të marrë një përgjigje lidhur me atë se si e ka parë ai rekomandimin e Komisionit Evropian, por nuk ka marrë përgjigje. Qendra rajonale ECPD, e transformuar në 2011-ën në Unversitet, vitin e kaluar ishte shpallur institucion i jashtëligjshëm nga ministri i Arsimit, Arsim bajrami.

Me vendim të MASHT-it diplmat që ka lëshuar ECPD-ja gati prej një dekade në Kosovë nuk do të njihen.

Në një hulumtim që ka bërë gazeta Zëri vitin e kaluar ka arritur të sigurojë se me doktoratë në këtë institucion ilegal është pajisur udhëheqësi i KRPP-së, Safet Hoxha, i cili kishte mbrojtur temën e diplomës së doktoratës në muajin nëntor të vitit 2014. Hoxha ligjëron në Universitetin “Ukshin Hoti” që nga viti akademik 2010/2011, si mësimdhënës i angazhuar në Fakultetin Juridik.

Po ashtu është i angazhuar për një semestër ën Universitetin privat AAB. /Zëri