Hoxha: Do ta ndalojmë Kurtin të hyjë në zyrën e kryeministrit – paralajmëron sërish letër për thirrjen e seancës konstituive
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie po qëndrojnë sërish para ndërtesës së Qeverisë, me qëllim që, sipas saj, të mos lejojnë hyrjen e Albin Kurtit në zyrën e kryeministrit. Në një konferencë për media, Hoxha akuzoi Kurtin se po i ushtron funksionet në mënyrë ilegale dhe e cilësoi atë…
Lajme
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie po qëndrojnë sërish para ndërtesës së Qeverisë, me qëllim që, sipas saj, të mos lejojnë hyrjen e Albin Kurtit në zyrën e kryeministrit.
Në një konferencë për media, Hoxha akuzoi Kurtin se po i ushtron funksionet në mënyrë ilegale dhe e cilësoi atë si “uzurpator”, së bashku me ministrat e tij.
“Ata qëndrojnë ilegalisht në pozicionet që i ushtrojnë edhe sot. Për këtë jemi mbledhur këtu, për të mos e lejuar hyrjen e tij në zyrat e Kryeministrisë”, tha Hoxha.
Ajo i bëri thirrje Kurtit që të paraqitet në Kuvend dhe të kontribuojë në konstituimin e tij, duke theksuar se si fitues i zgjedhjeve duhet të propozojë emrin për kryetar të Qeverisë dhe të mundësojë themelimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.
“Kurti duhet ta kuptojë se, në vend që ta sabotojë Kuvendin, duhet të vijë aty dhe ta konstituojë atë”, tha Hoxha.
Deputetja e PDK-së theksoi gjithashtu se asnjë parti politike, përfshirë Vetëvendosjen, nuk mund të jetë mbi shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Një gjë duhet ta dinë qytetarët e Kosovës dhe ata që jetojnë jashtë Kosovës. Ai nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës, partia e tij nuk mund të jetë mbi shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh ajo.
Hoxha paralajmëroi se PDK-ja do t’i drejtojë një kërkesë të re kryesuesit të seancës konstituive, deputetit të Vetëvendosjes, Avni Dehari, që të thërrasë seancën e Kuvendit.