Hovenier: SHBA-ja mbetet partnere e popullit të Kosovës
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shpjegon se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ku veçanërisht ndikoi kritika e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier thotë se pezullimi duhet marrë…

Lajme
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shpjegon se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ku veçanërisht ndikoi kritika e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier thotë se pezullimi duhet marrë seriozisht dhe e cilëson si një “humbje të madhe mundësie” për forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së.
Më 12 shtator, SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.
Qeveria në detyrë e Kosovës i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit”.
“[Dialogu Strategjik] do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën, dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është pezulluar ose dëmtuar, por do të thotë se një mundësi për ta rritur dhe forcuar atë, për momentin, është ngrirë. Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve që brengosen për fuqinë dhe vitalitetin e marrëdhënies”, thotë Hovenier, tani bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik.
Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh rolin e Amerikës në ndërtimin e shtetit të Kosovës, çfarë do t’u thoshit kosovarëve të zakonshëm që mund të ndihen të shqetësuar për këtë vendim?
Jeffrey Hovenier: Do t’u thosha këtë: Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të braktisin partneritetin me popullin e Kosovës. Por ,ne bëjmë dallimin midis përkushtimit tonë ndaj Kosovës – shtetit, popullit dhe institucioneve – dhe çdo qeverie të veçantë. Dhe, është e qartë se administrata e Trumpit ka shqetësime për cilësinë e partneritetit me Qeverinë e kryeministrit në detyrë, Kurti.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, çfarë do t’u këshillonit udhëheqësve të Kosovës tani, nëse duan të rikthejnë besimin tek Uashingtoni?
Jeffrey Hovenier: Unë nuk kam qenë së voni pjesë e bisedimeve me kryeministrin, ministrat e tij dhe homologët amerikanë, kështu që nuk e di saktësisht se çfarë po rekomandon Qeveria e SHBA-së tani.
Gjatë kohës sime, ajo që kërkonim ishte bashkëpunim më i ngushtë mbi mekanizmin e vështirë të shfuqizimit të mbështetjes së shtetit serb për komunitetin serb në Kosovë, si dhe të mos ndërmerren veprime të nxituara ose të njëanshme, si mbyllja e klinikave shëndetësore, zyrave të sigurimeve shoqërore apo gjërave të tjera të ngjashme.
Ne pajtoheshim që ato duhej të integroheshin në strukturat e shtetit të Kosovës, por një gjë e tillë duhej të bëhej në një mënyrë të dakordësuar përmes dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë].
[I dërguari i BE-së] Peter Sorensen është një negociator shumë i aftë. Gjetja e një rruge përpara, që të jetë e pranueshme për të dyja palët, besoj se vazhdon të jetë ajo që kërkon kjo administratë. Por, siç e thashë, unë nuk kam qenë pjesë e këtyre bisedimeve që nga fundi i dhjetorit.